“Jam qelibare”, mjekja e Onkologjikut nuk dorëzohet: Mediat më shtrembëruan fotot, pse gjithë ky mllef ndaj meje?
Pas skandalit në Spitalin Onkologjik, mjekja e pezulluar nga detyra Alketa Imeri Pere, ka treguar versionin e saj në lidhje me këtë ngjarje.
E ftuar në “Top Story” ajo tregoi se pacientët i kanë treguar fotot në lajmet e bëra për të, për këtë arsye iu është përgjigjur ashtu gazetarëve.
Ndër të tjera Alketa Pere tregoi se nuk e ka lexuar as dosjen dhe as lajmet në media.
“Unë ditën që mora vesh nga OPGJ që u njoha me aktakuzën të nesërme shkoj se mungonte kolegu, kisha shumë fluks pacientësh dhe më vijnë nja dy më thonë që ke dalë në portale. Dhe më pas pash foton time të shtrembëruar edhe thash çfarë po ndodh. U shtrembërua fotoja ime, nga erdhën këto akuza nga buroi ky mllef. I kërkova falje gazetarit që i thash kush je ti, por s’është transmetuar.
Pasi dola nga gjykata mora vesh që isha pezulluar, unë vazhdoja punën ndërkohë që isha e pezulluar. Nuk kam lexuar asgjë nga dosja. Se kam hapur telefonin se çfarë kanë shkruar portalet, se jam marrë me gjëra të tjera. Do ti shikoj në një moment të dytë lajmet. E vërteta do të dalë në sheh, nëse Alketa Pere ka publikun kundra, nuk e mendoj kurrë kështu”, tha Alketa Pere.
Ajo u shpreh në “Top Story” se nuk i ka thënë ka thënë asnjëherë pacientëve të shkojnë tek privati.
“Një mjeke me 30 vite eksperiencë që ka shpëtuar mijëra jetë njerëzish. Kam shkuar në punë në ’97 mes plumbave, as në kovid se ndala punën. Marrëdhëniet më të dobët e kam me kirurgët sepse i kam thënë mos i çoni pacientët tek spitalet tuaja private. I kam dërguar një mesazh para disa kohësh drejtoreshës ku i thashë për problematikën. E dija që çonin pacientët tek privati. Nuk e di çfarë të them për ndëshkimin. Jam qelibar, kurrë në jetën time ti kem thënë pacientit që të shkojë tek privati për të bërë qoftë një analizë”, tha Alketa Pere.