“Jam gjermane dhe pikë”, rebelimi i Kariolla Vencek në gjykatat shqiptare që nuk i njihnin kombësinë

“Jam gjermane dhe pikë”, rebelimi i Kariolla Vencek në gjykatat shqiptare që nuk i njihnin kombësinë

 

Foto Ilustruese /

Kishte humbur Gjermaninë, jetën, identitetin dhe e vetmja rrugë që i kishte mbetur ishte lutja, thirrja dhe rebelimi për to. Po askush nuk e dëgjoi deri sa u fik në vetmi e skamje të plotë…
Pjesa e Dytë
Vijon nga Pjesa e Parë

E drobitur, e terrorizuar, në mjerim pafund, Kariolla Vencek, gjermania nga Mommingeniqë përfundoi në Shqipëri me një histori dashurie në mesin e viteve 40, nuk do të humbiste  asgjë nga karakteri i qëndrushëm dhe i prerë, si bijë e një fisnikeje gjermane, pavarësisht se kishte humbur shumëçka nga të drejtat më elementare të një qytetareje.
Me dhjetra herë autoritetet kishin hedhur poshtë kërkesën e saj për t’u riatdhesuar pranë prindërve në Gjermani. Me dhjetëra e dhjetëra herë organet e gjyqësorit nuk kishin pranuar kërkesën  për ta regjistruar me kombësinë e vet. Përballja e saj me organet e drejtësisë ka qenë një odise më vete. Përtej jetës plotë vuajte Kariolla Vencek, mbi dhjetë herë në vite të ndryshme ka hapur procese gjyqësore për ti njohur kombësinë e vërtetë, pasi në dokumentet zyrtare rezultonte me kombësi shqiptare. “Jo, jo, rebelohej ajo me duart në kokë.
“Unë jam gjermane dhe pikë”, “Dojç, Gjermani” dhe asnjë kombësi tjetër”. Ka qenë ky një nga momentet më dramatike të jetës së saj. Asnjëherë ajo nuk e mori vesh dhe u çudit sa nuk kishte ku të shkonte pse autoritetet shqiptare nuk e donin me kombësi gjermane. I biri, Hetemi, kujton se edhe në ndonjë rast kur gjykata e shkallës së parë merrte vendimin për ta regjistruar me kombësinë gjermane, siç ishte në të vërtetë, nuk vononte verdikti i gjykatës së shkallës së dytë që hidhte poshtë vendimin e parë. Kjo odise do ta ndiqte deri në fund, me shpresën se një ditë do të buzëqeshte edhe për të fati, por nuk kishte qënë e thënë.
“Atëherë kur u bind se çdo gjë ishte e kotë, kujton me lot në sy i biri, na mblodhi ndërsa përpëlitej në shtratin e vdekjes dhe na la amanet  t’i çonim eshtrat për të pushuar te varri i nënës në Gjermani. Po ajo kishte qënë e ndëshkuar edhe në vdekje. As në komunizëm e as në demokraci, nuk na hapi kush dritën jeshile për t’i çuar në vend të paktën amanetin.” Aq sa edhe fëmijët, këtë maraz e kanë gati të gjithë qytetarët e Delvinës,  që e kanë njohur Karjollën dhe jetë ferrin e saj në qytetin e vogël në Jug. Ata që i hapën zemrën dhe e ndihmuan me aq sa mundën në ato ditë të vështira, e quajnë të pajustifikuar indiferencën e  autoriteteve shtetërore dhe ambasadës gjermane në Tiranë, përballë kësaj kërkese qytetare, por edhe shpirtërore. Tashmë, Karjolla Vencek ka tridhjetë vite që nuk jeton më. Në qytetin e vogël në Jug, veç emrit të mirë, ka lënë një fotografi të vetme (atë të letërnjoftimit), një varr të braktisur diku përskaj varrezave të qytetit, kujtimet e dhimbshme të jetë ferrit tridhjetëvjeçar dhe një amanet, që siç thotë bibla dhe kurani, nuk e tret as dheu…
Ata që nuk mundën të bënin gjë për të kur ishte gjallë, të paktën të bëjnë diçka njerëzore tani kur ajo nuk jeton më. Në këtë kërkesë të fëmijëve të saj dhe qytetarëve të Delvinës, ka vetëm diçka modeste e njerëzore…
Një fotografi, një varr i braktisur dhe shumë kujtime të dhimbshme
Më shumë se një varr të braktisur, diku në skaj të varrezave  të Delvinës, gjermanja Karjolla Vencek, ka lënë në qytetin e vogël në Jug, kujtimet e një jete varri që rrodhi me dhimbje dhe drama të pafundme. Ka mbetur prej saj një fotografi e vetme, ajo e letërnjoftimit zyrtar dhe dhjetëra e dhjetëra shkresa e vendime gjyqësore me të cilat shpresoi deri në fund se mund të fitonte diçka nga identiteti i humbur. Po ka mbetur edhe porosia e fundit, amaneti i saj për t’i çuar eshtrat të pushojnë në tokën që e rriti për të cilën ishte krenare deri në vdekje. Ka mbetur një amanet që ende nuk po gjen zgjidhje…(Vijon…)/Pamfleti
Burimi