Iu vendos lëndë plasëse në makinë, zbardhet dëshmia e 47-vjeçarit: Nuk kam dijeni për autorët!
47-vjeçari Ledovik Syziu mbeti i plagosur pasi iu vendos një sasi lëndë plasëse artizanale në makinë.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm në banesën e tij në Mirditë. Syziu shkoi për të ndezur makinën, por menjëherë ndodhi shpërthimi në pjesën e pasme të saj.
Në dëshminë e tij në polici, 47-vjeçari ka deklaruar se nuk ka asnjë dijeni për autorët apo shkaqet e ngjarjes. Në komisariat ndodhen edhe familjarë të tij, me qëllim për të mësuar për ndonjë incident që mund të ketë pasur i plagosuri.
Mësohet se 47-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa sipas policisë Ledovik Syziu njihej si problematik në fshatin e tij, gjë për të cilën policia po heton nëse ka pasur ndonjë konflikt të kohëve të fundit ndërmjet tij dhe ndonjë banori të zonës.
“Rreth orës 08:05, Salla operative e Komisariatit të Policisë Mirditë është njoftuar se në fshatin Malaj, në oborrin e banesës së shtetasit L.S, në momentin që ky shtetas ka ndezur automjetin, në pjesën e pasme të automjetit ka ndodhur një shpërthim.
Për pasojë shtetasi L.S, është dëmtuar dhe po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Mirditës jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor.
Nga veprimet e para dyshohet se ka shpërthyer lëndë artizanale.
Nën drejtimin e Prokurorisë Grupi hetimor po vijon intensivisht punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe për sigurimin e provave me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të rastit”, njoftoi policia.
Burimi