Integrimi në BE, Rama nuk pyet më për asgjë: S’presim asnjë forcë politike për bashkëpunim, nuk do humbasim kohë!
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria nuk do të presë askënd për të realizuar reformat dhe për të avancuar në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Gjatë fjalës së tij në takimin e nivelit të lartë me praninë e ambasadorëve të akredituar në Shqipëri, për procesin e thellimit të reformave të mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe antikorrupsionit Rama theksoi se, edhe në rastin më të keq, do të presin partnerët e tyre, por nuk do të vonojnë për shkak të mungesës së bashkëpunimit nga ana e opozitës.
“Ne nuk do të presim askënd, se nuk e presim dot. Në rastin më të keq, do presim partnerët tonë, se nuk janë të bindur e se po fshehim ndonjë gjë. Këtë do ta bëjmë sepse i kemi miq në shtëpinë tonë dhe e dini që mikut nuk i prishet kurrë. Forcë tjetër ne nuk presim, e di që ky është një problem dhe minus”, tha ai.
Rama shtoi se zgjedhja e qeverisë është të vazhdojë me implementimin e reformave, sidomos në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe të sigurojë pavarësinë e institucioneve të drejtësisë.
Ai theksoi gjithashtu angazhimin për të thelluar ndarjen mes pushteteve dhe për të garantuar hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Ne e kemi bërë zgjedhjen tonë. Zgjedhja jonë është të vazhdojmë, të thellojmë të gjitha reformat, të thellojmë dhe të bëjmë të pathyeshme ndarjen mes pushteteve, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të garantojmë pavarësinë e institucioneve të drejtësisë dhe të fusim Shqipërinë në BE”, u shpreh kryeministri.
Burimi