“I ngarkuar rëndshëm ende, do t’afrohem tek varri humbak”/ Besiana Kadare reagon në mënyrën të veçantë për ndarjen e të atit nga jeta
Besiana Kadare ka zgjedhur një poezi të shkruar nga babai i saj i ndjerë për ta përkujtuar në ditën kur ai ndërroi jetë.
Poezia titullohet “Kohë e pamjaftueshme”, të cilën Besiana ka vendosur ta publikojë në rrjetet sociale.
Kolosi i letërsisë shqiptare ndërroi jetë ditën e sotme në moshën 88 vjeçare.
Kohë e pamjaftueshme
S’kam kohë të harroj shumë gjëra
Që nga mendja ti nxjerr përjetë.
Për tragjikët e vjetër e shkrepëtimat
Do t’më duhen së paku dy vjet.
Dhe ndoshta po aq për Danten,
Për frëngjishten tok me plazhet po aq,
Ndoshta gratë do të jem duke fshirë
Kur muzgu do të afrohet ndërkaq.
Si udhëtari me peshë të tepërt
Para avionit që niset pas pak
I ngarkuar rëndshëm ende
Do t’afrohem tek varri humbak.
Nga supet si ta heq këtë barrë?
Ku ta hedh këte peshë, si?
Me të s’mund të zbres atje poshtë
Por as lart dot s’e lë kurrsesi.
I menduar gjer në çast të fundit
Nga mosthënia, nga pengu tragjik
Një shenjë ndoshta të pakuptueshme
Do t’ju bëj të gjithëve e do ik.
Burimi