‘Hetoni kush dhe si erdhi ligji’/ ​​​​​​​Përplasje në Kuvend për kreun e ri të Gardës, Bardhi akuza PS

‘Hetoni kush dhe si erdhi ligji’/ ​​​​​​​Përplasje në Kuvend për kreun e ri të Gardës, Bardhi akuza PS

Edi Rama, Ermal Onuzi dhe Gazment Bardhi

Seanca e Kuvendit nisi me një kërkesë të kreut të grupit parlamentar të PD-së të  ngrihet komision për të hetuar kush solli ligjin e gardës, ku para pak ditësh u emërua edhe kreu i ri.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së i kërkoi Kuvendit të ngrihet komision për të hetuar kush solli ligjin e gardës.
Bardhi akuzon se kreu i gardës Ermal Onuzi ishte i paracaktuar.
“E kishte zgjedhur si investim një oligark që në shkurt 2024. Ngrini komision etike dhe hetoni si erdhi, kush e solli ligjin dhe si u votua ligjin” tha Bardhi.
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha prezantoi të martën drejtorin e ri të Gardës së Republikës, Ermal Onuzi, i cili, sipas ministrit u zgjodh pas një konkursi të hapur ku garuan profesionistë të fushës së sigurisë.
Onuzit iu dha e drejta për të kandiduar për këtë detyrë të rëndësishme pas ndryshimeve ligjore që Partia Socialiste në pushtet votoi në mars të këtij viti, duke lehtësuar kriteret për t’u bërë drejtues i Gardës.
Opozita paralajmëroi në atë kohë se ndryshimet ligjore ishin të “qepura me porosi” për të sjellë në krye të Gardës pikërisht Onuzin.
Ndryshimet në ligjin për Gardën e Republikës u inicuan nga deputeti socialist Nasip Naço, në të njëjtën kohë kur kreu jetëgjatë i Gardës, Gramoz Sako dha dorëheqjen në shkurt të këtij viti.
Sipas ligjit të mëparshëm, Drejtori i Përgjithshëm i Gardës së Republikës duhet të ishte punonjës i Gardës që mban gradën “Drejtues i parë” ose “Drejtues i lartë” dhe emërohej nga Kryeministri me propozim të Ministrit të Brendshëm.
Ndërsa dispozita ligjore e miratuar në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca parashikon që drejtuesi i Gardës do të zgjidhej pas një konkurrimi të hapur, sipas procedurës dhe rregullave që vendos Ministri i Brendshëm. Në fund të kësaj gare, ku i vetmi kriter profesional janë 10 vite përvojë pune në fushën e sigurisë, ministri përzgjedh një emër që ia dërgon kryeministrit.
Ermal Onuzi u zgjodh në krye të Gardës së Republikës mes gjashtë kandidatëve, njëri prej të cilëve edhe Artan Didi, ish-drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. ermal onuzi
Burimi