Helena Kadare: Jeta ime krah Ismailit
Koha asnjëherë nuk mjafton për t’i thënë të gjitha. Aq më tepër një libër. Sa herë që t’i kthehesh pas, do ketë mbetur diçka e pathënë.
“Kohë e pamjaftueshme”, kështu e ka quajtur Helena Kadare librin e saj me kujtime. Një libër prej 730 faqesh, ku shkrimtarja dhe bashkëshortja e Ismail Kadaresë tregon kujtimet e saj, që kur ishte çupë në Elbasan e mësonte përmendësh vjershat e një shkrimtari të ri, i cili studionte në Moskë e që fati e deshi të bëhej bashkëshorti i saj.
Jeta e Helena Gushit, më vonë Kadare, nuk qëlloi si e gjithë të tjerëve. Fati i kishte rezervuar një tjetër jetë, të cilën ajo e kish ëndërruar sa herë. Kur ishte gjimnaziste e mori të parën letër nga Is, siç i thotë ajo, por që nuk e kishte menduar kurrë që do të ishte e tillë, e mbushur me aq shumë emocione. Ishte bashkëshortja e njeriut që do ta nxirrte Shqipërinë nga izolimi përmes veprave të tij, edhe atëherë kur diktatura ishte në kulmin e saj. Ndjesi personale në krah të një njeriu jo edhe aq të thjeshtë, që nga puthja e parë, te xhelozitë, zënkat, e deri te netët pa gjumë për një roman që pritej të dilte.
“Duke qenë edhe ajo vetë shkrimtare, bashkëshortja e Ismail Kadaresë, Helena, zbulon fatin e një çifti të pazakontë. Në këtë rrëfim të mbushur plot ngjarje, që dalin dhe e kapërcejnë të zakonshmen e një jete të përbashkët, shpaloset aktualiteti i një gjysmëshekulli që ka parë apogjeun, dhe më pas, agoninë dhe fundin e regjimeve komuniste në Europën Lindore. Në rrethin e miqësive, takimeve, të fshehtave të përbashkëta, ky çift gjen energji dhe kurajë që të mposhtë ankthin që diktatura ushtroi mbi banorët e vendit më të mbyllur dhe më misterioz të Europës”, shënon shtëpia botuese franceze “Fayard”.
Kadare është diskutuar gjithnjë si shkrimtari që kishte një marrëdhënie shumë delikate me diktaturën. Në kujtimet e saj, Helena tregon për mbledhjet e Lidhjes së Shkrimtarëve, plenumet, ankesat, kritikat, ndalimet e librave… të gjithë atë periudhë ankthi, kur të gjithë mendonin se u erdhi fundi edhe atyre, kur njerëz pyeteshin në hetuesi për lidhjet e mundshme “agjenturore” të shkrimtarit, vizitat e tij në Francë.. Marrëdhëniet me pushtetarët të treguara në mënyrë direkte ose indirekte, me Enver dhe Nexhmije Hoxhën, Ramiz Alinë, fëmijët e kryeministrit të vetëvrarë, Mehmet Shehu… Nga ky libër voluminoz kemi përzgjedhur pak pjesë nga ato momente të vështira, plot ankth, kur e nesërmja nuk ishte asnjëherë e sigurt.
Nga libri..
I akuzuar si agjent i Mehmet Shehut
Disa ditë pas kthimit nga Frankfurti, Is e thirrën në Komitetin Qendror për t’i hequr vërejtjen për takimin me Martin Camajn. Is nuk kërkoi t’i bënte bisht asaj që kishte ndodhur. Në pyetjen e parë të Sofo Lazrit: “Është e vërtetë se në Frankfurt ke takuar Martin Camajn, shkrimtar armik, apo jo?”. Is i qe përgjigjur pa mëdyshje: “Është e vërtetë”. Mbrojtja e tij ishte e thjeshtë: Takimi ka qenë i rastësishëm. Veç kësaj, nuk e kam ditur që merret me veprimtari armiqësore.
Ngjarjet e këtij viti do të rrokulliseshin me shpejtësi. Më 17 dhjetor ndodhi vetëvrasja apo vrasja e kryeministrit. Pas 2-3 ditësh ai u shpall tradhtar. Menjëherë filloi të flitej për një komplot të madh, më të rrezikshmin e zbuluar gjer atëherë. Gjithë Shqipëria nisi të dridhej prej llahtaris. Gjithkush sillte ndër mend të afërmit që mund të goditeshin dhe rrezikun që vinte prej kësaj. Ne rrezikoheshim nga dy drejtime, nga Bashkimi me Marietën, biri dhe nusja e kryeministrit të vrarë, që ishin izoluar dhe priteshin çdo ditë të arrestoheshin, si dhe prej Gim Myftiut, babai i të cilit mund ta pësonte. Dhe po ta pësonte i ati, dihej, i biri do të kishte të njëjtin fat.
Viti 1982, hyri me këtë re të zezë. Ndërkaq, Bashkimi me Marietën ishin arrestuar. Por, e keqja s’do të mbetej me kaq. Më 28 janar, në mbrëmje, ishim mbledhur me ca miq për ditëlindjen e Is, kur një nga xhamat e dritares së dhomës së ndenjjes u thye nga goditja me gur. Gurët vinin nga rruga dhe Is mori në telefon Rajonin e Policisë. Policët erdhën menjëherë, u sollën shumë mirë, bënë ekspertizën. Disa ditë më pas, ngjarja u përsërit, këtë herë me goditje të derës së apartamentit. U përsërit i njëjti ritual: fotografimi, matjet, procesverbalet. Ky ishte fillimi i një historie të shëmtuar që zgjati shumë kohë. Kishim dëgjuar kaq shumë për marifetet që përdorin regjimet komuniste për të hedhur baltë mbi personalitetet e kulturës, por kjo telenovelë e pështirë i kalonte të gjithë kufijtë e imoralitetit.
Në kohën që Tirana gëlonte nga mbledhjet për demaskimin e “kryekomplotistit më të madh të të gjitha kohërave, Mehmet Shehut”, përpara banesës sonë, në mbrëmje qëllonte që dëgjoheshin britma: Ismail Kadare, agjent i Mehmet Shehut! Ose agjent i borgjezisë! Dhe të mendoje që ishte ende deputet i Parlamentit, një fakt që detraktorët e tij do ta kujtonin një kohë të gjatë më pas!
Dënimi i “Nëpunësit të pallatit të ëndrrave”
Proverbi: “Kur vijnë të këqijat, hapu derën”, merrte një kuptim të veçantë në vendet si yni. Në kohën që historia e përbaltjes ishte në kulmin e saj, një lajm i hidhur na erdhi nga Lidhja e Shkrimtarëve. Së shpejti do bëhej Plenumi i Letërsisë, ku do dënohej “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”. Mendimi i parë që na erdhi ishte: A kishte lidhje kjo gjë me çështjen e “xhamave të thyer?”
Plenumi u bë në mars, në sallën e madhe të Pallatit të Kulturës. Mbledhjen e kryesonte zëvendësi zyrtar i Enver Hoxhës, Ramiz Alia. Në radhët e para, midis anëtarëve të Byrosë Politike dhe të qeverisë, ishte gruaja e vetë diktatorit, Nexhmije Hoxha. Is ishte në presidium dhe prej andej ai duhej të dëgjonte para gjithë auditorit kritikat më të ashpra. Ato po lexoheshin nga kryetari i Lidhjes. Unë isha me shoqet e mia të zyrës në sallë. Rrija krejt e mpirë, duke ndjekur me kujdes çdo lëvizje të fytyrës së vrenjtur të Is. Pas frazave të frikshme, herë pas here, ndieja në krah shtrëngimin e heshtur e plot kuptim të mikeshës sime, Nasta Haxhiu. Nga tribuna vinin fjalë të rënda. Romani akuzohej se bënte aluzione për “regjimin komunist”. Ishte frika më e rrezikshme që mund t’i bëhej një vepre në Shqipëri. Ndërkaq dëgjoja me habi citime të frazave të librit, fraza që unë i dija të gjitha përmendësh, por nuk e di se nga çfarë ndryshimi apo renditjeje të çuditshme të tyre, ngjanin edhe më të frikshme se ç’ishin. Të gjithë kujtuan se ky ishte fundi i Is. Atij vetë, për të dytën ditë i duhej të dëgjonte, me të njëjtën shprehje të ngrirë, ato që thuheshin për të…
Bashkim Shehu, një javë pyetje për Kadarenë
Fati i tij, domethënë fati ynë, nuk varej fare nga ato që thoshte kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve apo diskutuesit e zellshëm. As nga sytë zhbirues të Nexhmije Hoxhës, të cilët, që nga radha e parë ku kishte zënë vend, nuk i ndaheshin. Fati ynë vendosej në një tjetër vend, larg nga kjo sallë, në qelinë, apo në vendin e veçuar, ku po merreshin në pyetje Bashkim Shehu me të shoqen e tij të re, Marietën. Se ç’do thoshin ata për ne, ishte shumë më fatale se gabimet e “Pallatit të ëndrrave” që po numëroheshin aty…
Bashkim Shehu bashkë me të shoqen, në vende izolimi të ndryshme, po pyeteshin intensivisht për ne. Këtë lajm e solli djali i tezes sime, Kujtim Kito…
Më 1991, fill pas daljes nga burgu, në një letër të tij, Bashkim Shehu ka treguar atë që ka ndodhur. Ja teksti i letrës së tij, i botuar së pari në parathënien e librit të tij “Vjeshta e ankthit”, libër i botuar edhe në Francë, me titullin “L’automne de la peur”.
“Desha të të shkruaj në krye për atë pjesë të hetuesisë sime më 1982, kur më kanë pyetur për ty. Më kanë pyetur intensivisht për rreth një javë, madje një herë më erdhi në mes të natës zëvendësministri i Brendshëm, Rexhep Kolli. Të quanin “armik të vjetër të rrezikshëm”, që ishe munduar “t’ia hidhje partisë”, por “nuk ia hidhje dot”, se “partia” të kishte “njohur prej kohësh”, të kishte “dhënë dorën disa herë”, kurse tani “s’kishe ku të veje më” etj. Kërkonin të dinin çfarë mendimi kishe ti për regjimin, çfarë kishe thënë kundër Enver Hoxhës, madje të implikonin dhe në çështje agjenture, ngaqë më kanë pyetur nëse ti kishe shkuar ndonjëherë në Francë i dërguar nga Mehmeti dhe kë ke takuar atje. Për të më nxjerrë pohimet që u duheshin, ata u përpoqën të më futnin, më së pari, në një gjendje vetëfajësimi total, gjë që ia arritën.
Pastaj, si engjëj-shpëtimtarë që do të më pakësonin dhimbjen e një të tillë fajësie, duhej të më bënin që të pranoja se shkaktar i fajeve të mia, në të vërtetë, ishte tjetërkush, dhe ky tjetërkushi mund të ndryshonte sipas rastit, varësisht se për kë u duhej atyre të deponoja. Kështu, në fillim e patën me ty, e mandej, kur hetimet e kaluan kapitullin agjenturor, me prindërit e mi. Pra, më kërkohej të pohoja se miqësia me ty “ishte faktori kryesor që më kishte ndihmuar për të hyrë në rrugën armiqësore” dhe rrjedhimisht kjo duhej konkretizuar me deponime në lidhje me pyetjet që përmenda më sipër…”
Nga letra dilte se e vetmja gjë që donin të dinin për Is ishte se ç’mendonte ai për Enver Hoxhën. Kjo vërtetonte se pyetjet bëheshin sipas udhëzimeve të drejtpërdrejta të vetë Hoxhës. Të tjerat ata i dinin…
I shpëtuar nga Enver Hoxha
…Tek oxhaku i studios, ashtu si më parë, pa u kuptuar nëse ishte i mundur apo fitues, Is po shkruante “Qorrfermanin”, novelën e gjatë, ku përshkruhej gati-gati saktësisht tmerri që porsa kishte kaluar. Ndryshimi i vetëm ishte se ngjarja qe vendosur në Perandorinë Osmane… Një ditë më tha diçka që më habiti. Tha se atë që ishte duke shkruar nuk kishte ndër mend aspak ta botonte. Ishte hera e parë që dëgjoja një pohim të kësaj natyre. Siç ma shpjegoi, raporti i tij si shkrimtar, me atë ç’ka po shkruante tani, ishte ndryshe, fare ndryshe.
Një ditë tjetër më tha se ishte bërë edhe një herë e qartë ajo që ai e dinte prej kohësh: klani kundër tij ishte tepër i fortë, ngaqë kryesohej prej gruas së Enver Hoxhës. Askush tjetër nuk do të ngulmonte me aq zell të palodhur për diçka që diktatori nuk e pëlqente. Por kjo gjë s’ishte kuptuar vetëm prej tij. Kishte plot njerëz të tjerë të afërm që na e thoshin këtë gjë.
Ishte e qartë se edhe këtë herë ai ishte shpëtuar prej diktatorit. Sepse, siç dihej tashmë, dhe siç e ka thënë Is më pas, prej Enver Hoxhës nuk mund të të shpëtonte veçse Enver Hoxha./ Alma Mile
Burimi