Goditja e bandës së Suel Çelës, GJKKO lë në fuqi masat e sigurisë, ndryshon vetëm për avokaten

Goditja e bandës së Suel Çelës, GJKKO lë në fuqi masat e sigurisë, ndryshon vetëm për avokaten

Gjykata e Posaçme ka dhënë masat për 21 personat e dyshuar të dosjes së SPAK për përgjimet e SKY ECC për bandën e Elbasanit, të drejtuar nga Suel Çela.
Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masat e sigurisë arrest në burg për 14 anëtarët e grupit kriminal që drejtohej nga Suel Çela. Masa ndryshoi vetëm për avokaten Blerina Beqirin, nga arret shtëpie në detyrim paraqitje.
Ndërkohë masa detyrim paraqitje mbetet në fuqi edhe për gazetarët Elton Qyno dhe Artan Hoxha.
Masat e kërkuara më herët nga SPAK dhe të vendosura paraprakisht nga GJKKO, janë konfirmuar sot (27 Nëntor).
Kujtojmë se SPAK zbardhi detaje nga hetimi i organizatës mafioze të dyshuar si të drejtuar nga Suel Çela dhe episodet kriminale në të cilat janë përfshirë anëtarët e saj. Për këtë hetim, Gjykata e Posaçme lëshoi urdhër-arreste për 18 persona, mes të cilëve edhe ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu dhe ish-zytari i Policisë, Dedan Gjoni, një masë “arrest në shtëpi” për një avokate dhe dy masa “detyrim për paraqitje” për dy gazetarë.
Përmes një njoftimi zyrtar, Struktura e Posaçme bëri me dije se për të kontrolluar territorin, organizata e angazhuar në trafikun e kokainës nga Amerika Latine në Europë, synonte eleminimin fizik të anëtarëve të një grupi kriminal rival në Elbasan.
Gjithë aktiviteti financohej nga paratë e trafikut të drogës. Referuar hetimit të bazuar në komunikimet e koduara SKY ECC dhe veprime të tjera hetimore, SPAK bën përgjegjës anëtarët e këtij grupi për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj Ardian Çapjes, qershorin e vitit 2020. Çapja u qëllua me snajper në distancë në oborrin e banesës së tij. Organizata kriminale dyshohet se ka siguruar kushtet dhe mjetet për vasjen e Bledar Muçës dhe Elton Kilës në dy ngjarje të veçuara në vitin 2020.
Në fushën e trafikut të drogës, SPAK i ngarkon mbi shpatulla kësaj organizate tentativën e trafikimit të gati 930 kg kokainë nga Ekuadori në Europë në dhjetor 2020 dhe atë të 466 kg kokainë në janar 2021. Përveç drejtuesit, Suel Çela, në role kyçe në organizimin kriminal SPAK veçon Mario Çelën, Bujar Shegën, Klaus Matishin dhe Xhino Rokën. Sipas SPAK, organizata kishte mundur të korruptonte funksionarin e Policisë, Dedan Gjoni dhe gjyqtaren Fatime Fetahu, që i furnizonin me informacione, si edhe ju ofronin lehtësira. Përmes ndikimit në gjyqësor, organizata lehtësonte pozitat penale të anëtarëve të saj në përballjet me drejtësinë, si edhe rëndonte pozitat e anëtarëve të grupit kundërshtar.
Në njoftimin zyrtar, SPAK thekson se Suel Çela ka synuar të manipulojë opinionin publik duke i paraqitur rivalët e tij si të paprekshëm për shkak të lidhjeve me politikën, duke rritur pozitat e tij dhe dëmtuar rivalët. Sipas SPAK, Çela këto synime i ka realizuar përmes bashkëpunimit me gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno, të cilët kundrejt përfitimeve monetare të paligjshme kanë mbajtur qëndrime në media, si dhe kanë publikuar artikuj dhe video që keqinformonin dhe manipulonin opinionin publik.
Sipas SPAK, hetimi vijon edhe për dokumentimin e veprimtarisë kriminale për persona të tjerë të dyshuar.gjkko banda suel cela
Burimi