Gjyqtarja Flojera Davidhi liroi Berishën, SPAK del kundër: Do apelojmë vendimin

Gjyqtarja Flojera Davidhi liroi Berishën, SPAK del kundër: Do apelojmë vendimin

Sali Berisha

Berisha ndodhej në ‘arrest shtëpiak’ prej 30 dhjetorit 2023.

Prokuroria e Posaçme deklaroi se do të ankimojë vendimin e masës së sigurisë ‘arrest shtëpie’ dhënë nga Flojera Davidhi që liroi Sali Berishën.
Kryedemokrati Sali Berisha është liruar sot nga arresti i shtëpisë me vendim nga gjyqtarja e GJKKO Flojera Davidhi, që ka sjellë revokimin e masës së sigurisë ndaj ish-kryeministrit.
Pas vendimit, avokati mbrojtës i Berishës, Genc Gjokutaj ka dalë në një prononcim për mediat ku ka bërë të ditur se nga sot, kryedemokrati është i lirë. Ai ka thënë se gjykata ka konstatuar se për Berishën nuk qëndrojnë më kushtet dhe kriteret për caktimin e asnjë lloj mase sigurimi.
Sali Berisha ndodhej i arrestuar në shtëpi prej 331 ditësh që prej 30 dhjetorit 2023.  
Vendimi u dha nga gjyqtarja e GJKKO-së Irena Gjoka dy muaj pasi Berisha refuzoi të zbatonte masën e parë të sigurisë që ishte detyrim me paraqitje.
Ndërkohë pavarësisht ankimimeve në gjykatat më të larta, deri sot vendimi i Irena Gjokës për ndryshimin e masës nuk ishte rrëzuar. Ndërsa ky vendim është ankimuar dhe në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Strasburgut.
Ish-Kryeministri Berisha akuzohet si i dyshuar për korrupsion në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”. Nën hetim për këtë dosje është dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i cili ndodhet në masë sigurie “arrest shtëpie”.
Pas vendimit të GJKKO, mbështetësit e parë kanë mbërritur poshtë banesës së kryedemokratit, si dhe në ambientet e jashtme të selisë blu.  Berisha pritet të shkojë në seli rreth orës 13:30, i shoqëruar edhe nga simpatizantët që po mblidhen poshtë banesës, në rrugën “Mustafa Matohiti”.
Githashtu një mesazh është shpërndarë në grupet e strukturave të PD, ku u kërkohet që mbështetësit të mblidhen në seli në orën 13:30 për të pritur kryedemokratin.

 sali berisha gjyqtarja flojera davidhi
Burimi