GJKKO liroi Berishën, Jozefina Topalli: Beteja nuk ka përfunduar ende!

GJKKO liroi Berishën, Jozefina Topalli: Beteja nuk ka përfunduar ende!

Jozefina Topalli dhe Sali Berisha

Drejtuesja politike e PD për diasporën, Jozefina Topalli, ka reaguar pas heqjes së masës “arrest shtëpie” ndaj kryetarit të PD-së, Sali Berisha, me vendim të Gjykatës së Posaçme.
Sipas saj me lirimin e Berishës, beteja nuk ka përfunduar ende për opozitën.
“Sot, pas 350 ditësh padrejtësie, gjykata liroi kryetarin e opozitës, Sali Berisha.
Për 350 ditë, nga dritarja e qelisë, ai nuk reshti së foluri dhe së frymëzuari njerëzit për të rezistuar ndaj një qeverie të zhytur në korrupsion dhe skandale.
Arrestimi i tij ishte politik, një akt në shkelje të Kushtetutës dhe të çdo standardi të drejtësisë. Pa asnjë provë, ai u mbajt peng nga një pushtet që ka frikë nga zëri i qytetarëve dhe opozita e vërtetë.
Lirimi i tij sot është një dëshmi e forcës së të vërtetës dhe qëndresës. Por beteja nuk ka përfunduar! Rezistenca ndaj këtij regjimi të korruptuar vazhdon, dhe populli nuk do të ndalet deri në rikthimin e lirisë dhe drejtësisë në Shqipëri.
Forca e së drejtës është më e madhe se pushteti i padrejtësisë”, shkruan Jozefina në rrjetet sociale.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është liruar nga ’arresti i shtëpisë’, ku qëndroi gati 11 muaj, që nga dhjetori i vitit të kaluar.
Lajmin e ka konfirmuar edhe avokati i tij, Genc Gjokutaj, përmes një deklarate për mediat pas përfundimit të seancës gjyqësore.
Ndërkohë ka kërkuar vazhdimin e masës së sigurisë, ndërsa gjyqtarja në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) ka vlerësuar se nuk ekzistojnë më kushtet ligjore për mbajtjen e Berishës në masën e “arrestit në shtëpi”.
Kujtojmë se masat ndaj Berishës u vendosën me akuzat për korrupsion për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
Po ashtu në këtë çështje ishte i përfshirë edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi. Edhe ndaj të cilit Gjykata kishte vendosur më herët masa sigurie.
Berisha përmes avokatëve të tij bëri disa ankimime në gjykata, pasi kurrë nuk i ka pranuar akuzat e ngritura nga SPAK ndaj tij.
Burimi