“Gërdeci”/ Familja Durdaj kërkesë GJKKO: Përshpejtoni gjyqin, Fatmir Mediu të mos lejohet të dalë jashtë vendit!

“Gërdeci”/ Familja Durdaj kërkesë GJKKO: Përshpejtoni gjyqin, Fatmir Mediu të mos lejohet të dalë jashtë vendit!

Fatmir Mediu

Familja Durda, e prekur nga shpërthimi tragjik i Gërdecit, përmes një kërkese të depozituar në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, kërkon përshpejtimin e gjyqit dhe caktimin e një mase sigurie ndaj ish-ministrit, Fatmir Mediu.
Në lidhje me masën e sigurisë, është kërkuar që ish ministri të mos largohet nga vendi pa lejen e gjykatës.
Në kërkesë theksohet se ekziston mundësia që Mediu të ndikojë tek dëshmitarët dhe ekspertët për sa kohë që është në gjendje të lirë.
“Ndërkohë që Mediu rezulton të ketë vizituar SHBA, ndërkohë që me anë të letërporosisë është kërkuar marrja në pyetje nga autoriteteve vendase të dëshmitarëve me shtetësi amerikane”, thuhet në kërkesë.
Fatmir Mediu u mor i pandehur për 10 Janar 2023 dhe ndaj tij janë lëshuar dy akuza, ndërkohë që ai vetë i ka konsideruar akuzat si politike.
Ish-ministri i Mbrojtjes akuzohet për shpërdorim detyre dhe shpërdorim detyre në kuadrin ushtarak nga SPAK në lidhje me tragjedinë e Gërdecit ku nga shpërthimi i punishtes së demontimit të armëve mbetën 26 të vrarë dhe qindra të plagosur.
SPAK hetoi përgjegjësinë e ish-ministrit në ngjarjen tragjike të marsit të vitit 2008, ndërsa e regjistroi si procedim penal në tetor të vitit 2021. Procedimi penal u regjistrua për veprat penale: “Shpërdorim i detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe “shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak, kuadër komandues. Kjo lëvizje e SPAK erdhi, pasi Gjykata e Posaçme e Apelit, GJKKO, në 24 shtator të 2021-shit riktheu për hetim në SPAK dosjen e “Gërdecit”.
Në vendimin e Apelit të GJKKO-së thuhej se çështja nuk është gjykuar dhe se heqja e imunitetit të Mediut i hap rrugë procesit për rihetim. Mediu ishte një nga të akuzuarit për shpërdorim detyre për ngjarjen e vitit 2008 ku Shqipëria u trondit nga shpërthimi i një depos. Kujtojmë se më 15 mars të vitit 2008 rreth orës 12:05, si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një fabrikë për demontimin e armëve humbën jetën të paktën 26 persona që punonin atje, mes tyre edhe fëmijë. Veç viktimave, shpërthimi shkatërroi mijëra banesa e biznese.fatmir mediu
Burimi