Gara për shefa komisariatesh, publikohet lista me emrat finalë; skualifikohen 188 kandidatë
Publikohet lista me emrat fitues për shefa komisariatesh.
Një muaj pasi publikoi listën me 290 kandidatë që shprehën interes për pozicionin “Shef Komisariati”, Komisioni i Vlerësimit të Aplikimeve në Policinë e Shtetit ka përfunduar marrjen në pyetje të tyre dhe shqyrtimin e dokumentacionit dhe intervistës së kandidatëve.
Ky komision ka shpallur sot edhe listën e pikëve të fituara gjatë procesit të konkurrimit nga secili prej aplikantëve. Sipas një njoftimi, nga 290 kandidatë, kanë marrë pikët e nevojshme vetëm 102 prej tyre.
“Komisioni i Vlerësimit të Aplikimeve për përzgjedhjen e kandidatëve për pozicionin “Shef Komisariati”, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe intervistës së kandidatëve, të cilët kanë aplikuar për këtë pozicion, shpalli listën e pikëve të fituara gjatë procesit të konkurrimit.
Gjatë fazës së aplikimit, shprehën interes 290 kandidatë, ndërkohë që gjatë fazës së verifikimit të dokumentacionit 16 prej tyre u skualifikuan pasi nuk plotësonin kriteret për të vijuar konkurrimin.
Gjatë fazës së intervistimit, janë tërhequr nga konkurrimi 23 aplikantë.
Nga 251 konkurrentë, 102 prej tyre kanë fituar më shumë se 70 pikë (dhe ne zbatim të rregullores u lind e drejta për tu emëruar).
Të gjithë konkurrentet kanë të drejtën e ankimimit pranë Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave brenda 2 ditësh nga momenti i publikimit në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit të vendimit, me vlerësimin përfundimtar të secilit”, thuhet në njoftim.
Pritet që javën e ardhshme të përfundojë i gjithë procesi, pasi Drejtori i Përgjithshëm do të emërojë 48 shefat e rinj të komisariateve.
Burimi