“Filantropi” Vullnet Sinaj, fondet publike për biznesin e tij i justifikon si bamirësi
Vullnet Sinaj i shpëtoi përballjes me deputetët e opozitës sot në Këshillin për Mandatet dhe Imunitetit në Kuvend, por jo akuzave për papajtueshmëri të mandatit pasi bizneset në pronësi të tij kanë përfituar nga fondet publike. Pak pasi nisën diskutimet u dha lajmi për ndarjen e papritur nga jeta të Gerti Bogdanit dhe mbledhja u shty për njëherë tjetër. E megjithatë në ato pak minuta, deputeti i PS mbrohej me të vetmin argument; Unë jam bamirës…
Bamirësia që nuk justifikon shkeljen e Kushtetutës
Të njëjtën narrativë Vullnet Sinaj kishte edhe në mbledhjen e para dy javëve kur nisi të shqyrtohej mocioni i paraqitur nga deputetët e opozitës. I zënë ngushtë përballë transaksioneve në vlerë rreth 36 mijë euro nga disa institucione shtetërore për llogari të kompanisë “Big Market”, por dhe i pamësuar me përballje politike, Vullnet Sinaj nisi të numëronte para kamerave nderet që ka bërë në zonën e tij elektorale dhe donacionet e ndryshme që ka dhënë. Këto çjerrje filantropike të tij shumëfishohen më pas në një pjesë të madhe të mediave ku ai derdh qindra milionë lekë çdo vit për reklama.
Folklorizmin e tij prej labi e çmontoi disa herë Gazment Bardhi teksa e sfidoi Sinajn që këtë çështje le ta vendosë Gjykata Kushtetuese se kush ka të drejtë. Por deputeti i PS-së pretendon se kjo është një luftë politike dhe se s’ka papajtueshmëri të mandatit të tij me faktin që disa institucione publike i kanë derdhur para kompanisë “Big Market”.
I çoroditur pasi Bardhi i listoi gjithë institucionet shtetërore që i kanë dhënë para biznesit të deputetit, Sinaj lëshoi edhe një broçkull kur tha se faturat janë “rimbursime të TVSH-së”. Në fakt institucionet shtetërore si drejtori azilesh, Biblioteka Kombëtare, federata sportive, qendra arsimore apo gjykatat që i kanë dhënë para “Big Market”, nuk bëjnë rimbursim të TVSH-së.
Dhe tjetra, thelbi i mocionit të opozitës nuk është shuma 3.6 milionë lekë të reja që ka përfituar kompania “Big Market” nga institucionet shtetërore, por shkelja kushtetuese që penalizon deputetët që përfitojnë fonde publike. Qoftë edhe 1 lekë të kesh përfituar, quhet shkelje kushtetuese.
Përplasja me deklarata
Në një përpjekje të dëshpëruar për të zhvlerësuar akuzat e Gaz Bardhit, Sinaj i kujtoi sot në mbledhje kreut të Grupit Parlamentar të PD-së një deklaratë të tij të disa kohëve më parë.
“Bardhi nuk e dorëzoi mandatin e vet kur premtoi se po të vihet Berisha kryetar do tërhiqej nga politika, ka filluar të merret me ne të tjerët. Mbaje fjalën zoti Bardhi”, tha Sinaj.
Bardhi ndërkohë ia quajti “korrupsion zgjedhor” donacionet që ka bërë Sinaj.
“Ka ardhur për t’i bërë reklamë vetes, jo për të dhënë llogari për përfitimet që ka marrë nga buxheti i shtetit në kundërshtim me kushtetutën. Më quan donacion paratë që shpërndan për të blerë vota. Nuk e di që quhen donacion, janë forma kaliske e korrupsionit në zgjedhje. Është e paarsyeshme që kur kompania dhuron, deputeti i di gjitha dhe merr meritën dhe kur kompania përfiton nga buxheti, deputeti s’di gjë se ka caktuar një person të besuar. Ju keni vendosur ta merrni në mbrojtje, të hidhni në kosh vendimet e kushtetueses dhe kushtetutën. Edhe fjala e deputetit e provon, mungesë totale ndaj kushtetutës”, tha Bardhi.
“Deputeti i popullit”
Sa më shumë mbrohej si “deputeti i popullit” aq më tepër dilnin në publik të tjera kusure të Vullnet Sinajt dhe përdorimit që ai i kishte bërë pushtetit të tij politik për të ndikuar në rritjen e biznesit. Gaz Bardhi i përmendi faktin se përpara vitit 2017 kur Vullnet Sinaj nuk ishte deputet, biznesi i tij rezultonte me humbje dhe ishte nën sekuestro. Ndërsa “lulëzimi” dhe zgjerimi i madh për “Big Market” ndodhi pasi ai hyri në Parlament. Afërmendsh që kështu ka ndodhur me shumë të tjerë si Sinaj e deputeti i PS nuk bën përjashtim nga rregulli. Plot si ai kanë përdorur pushtetin politik për të zaptuar territore, për të marrë licenca, koncensione, leje ndërtimi, tendera e gjithë farë favoresh të tjera nga pushteti.
“Unë zoti Bardhi gjatë ushtrimit të mandatit tim si deputet nuk kam shkuar një ditë në festën e vitit të ri pa u siguruar për shpërndarjet e ndihmave. Gjatë mandateve të mia si deputet s’kam shkuar njëherë në darkë të festoj vitin e ri pa u siguruar që kishin shkuar pakot tek të gjitha familjet në nevojë. Kam trajtuar problemet që kanë qenë në zonën time. Kam ndihmuar edhe blegtorët në malet më të larta të Shqipërisë. Hyra për tu bërë deputet që t’i shërbej zonës sime dhe vendit tim me dinjitetin, skam përfituar asnjë lek nga buxheti i shtetit”, çirrej para kamerave deputeti Vullnet Sinaj duke përmendur gjithashtu edhe një donacion që kishte për pasojat e dëmeve nga tërmeti. E po kështu tundte me të madhe para kamerës se rrogën e tij e dhuronte për bamirësi.
Ligji në favor të biznesit të tij, Vullnet Sinaj në raportin e Transparency International
Teksa vijonte logorinë e tij si filantrop i madh brenda Partisë Socialiste, deputeti miliarder kyçi gojën në dy raste kur Gazment Bardhi i përmendi edhe një tjetër fakt të rëndë. Në një raport të Transparency International, Vullnet Sinaj përmendet me emër nominalisht si deputeti që ka ndikuar në ligjin për TVSH-në për të favorizuar kompaninë e tij. Në fund të vitit 2017, Qeveria e Shqipërisë shkoi drejt uljes së pragut të regjistrimit të TVSH-së nga 5 milionë lekë në 2 milionë lekë në vit, një ndryshim që synonte uljen e nivelit të informalitetit në ekonominë shqiptare.
Lëvizja u kritikua nga Banka Botërore dhe FMN si joefektive (për të adresuar informalitetin) duke pasur parasysh faktin se përfshirja e bizneseve të vogla në skemë do të krijonte një barrë më të madhe për administratën tatimore dhe do ta largonte atë nga fokusimi tek sipërmarrjet e mëdha.
Në fakt, efektet e masës nuk trajtuan informalitetin, por çuan në mbylljen e shumë bizneseve të vogla të shitjes me pakicë. Si rezultat, FMN i ka kërkuar qeverisë shqiptare të rishqyrtojë ligjin. Ligji në fjalë ndihmonte kompanitë si “Big Market” i deputetit Vullnet Sinaj për t’u zgjeruar në kurriz të dyqaneve të vogla. Dhe kështu ndodhi në fakt.
“Po kështu, Big Market u themelua nga Vullnet Sinaj, një biznesmen i cili u bë deputet i socialistëve në pushtet në vitin 2017. Këto lidhje të ngushta me partinë në pushtet tregojnë për natyrën e porositur të ligjit”, thotë Transparency International në raportin e saj.
Institucionet publike që çuan fondet te Vullnet Sinaj
Deri më tani opozita ka provuar e verifikuar transaksionet e institucioneve publike në të paktën 9 kompani të lidhura direkt apo indirekt me deputetin e Partisë Socialiste. Kryesisht ato janë blerje produktesh në vlera të vogla në disa pika të “Big Market”, por thelbi i mocionit të opozitës nuk të bëjë me vlerën. Shkelja kushtetuese është po njësoj pavarësisht vlerës. Më poshtë institucionet që kanë bërë pagesa të “Big Market” i deputetit të PS.
Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Durrës
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave
Gjykata e Lezhës
Biblioteka Kombëtare
Këshilli i Qarkut Lezhë
Federata e Karatesë
Qendra Ditore e të Moshuarve Durrës
Shkolla “Nazmi Rushiti” Dibër
Reparti Ushtarak 6001 Tiranë
Drejtoria Rajonale Tatimore Tiranë
Drejtoria Rajonale Tatimore Lezhë
Xhaçka-Sinaj, kë do të lëshojë Rama?
Deri më tani kemi parë që Edi Rama është barrikaduar në mbrojtje të Olta Xhaçkës duke përdhosur vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Me dërgimin e fundit të çështjes në Komisionin e Venecias, mandati i Xhaçkës hyn në kalendat greke. Në rastin e Vullnet Sinajt situata është më delikate pasi faturat e përfitimit të fondeve publike janë një provë e pakundërshtueshme.
E megjithatë nuk është çudi që mbrojtja të vijojë po njësoj si në rastin e ish-ministres së Jashtme. Shenjat e para janë dhënë në këto dy mbledhje. Por nëse do t’i duhej të sakrifikonte njërin, me siguri Rama ka për të zgjedhur Vullnet Sinajn. Në oborrin e kryeministrit, Sinaj është më pak i rëndësishëm sesa Olta Xhaçka./Lapsi.al
Burimi