Ekonomisti amerikan: Lufta biznes i madh, ndaj SHBA s’ka interes t’i japë fund konfliktit Ukrainë-Rusi
Shtetet e Bashkuara kanë qenë tërësisht bashkëpunëtore në luftën gjenocidale të Izraelit në Gaza. Biden dhe Blinken kanë shprehur kundërshtime ndaj sjelljes brutale të ushtrisë izraelite, por nga ana tjetër kanë vazhduar të dërgojnë armë dhe fonde.
Administrata Biden ka qenë një dështim total në Lindjen e Mesme. Shtetet e Bashkuara kanë qenë tërësisht bashkëpunëtore në luftën gjenocidale të Izraelit në Gaza. Kështu shprehet Jeffrey D.Sachs, profesor i ekonomisë me famë botërore dhe drejtor i Qendrës për Zhvillim të Qëndrueshëm në Universitetin e Kolumbias, gjatë një interviste për InsideOver. Ai nuk kursen kritikat e ashpra ndaj mediave tradicionale, dhe mënyrës sesi këto të fundit po pasqyrojnë konfliktet në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë.
Profesor, administrata Biden nuk duket e gatshme të negociojë me Rusinë mbi fundin e luftës në Ukrainë. A po synohet atje një luftë e gjatë? Ju jeni shprehur se Rusia dhe Ukraina e arritën një marrëveshje në prill 2022, por SHBA-ja (dhe Britania e Madhe) e kundërshtuan atë…
Synimi i Amerikës është hegjemonia apo dominimi mbi Rusinë dhe Kinën. Ky është një mendim perandorak standard:nëse Shtetet e Bashkuara nuk dominojnë mbi Rusinë dhe Kinën, atëherë do të jenë Rusia dhe Kina, ato që do të dominojnë mbi Shtetet e Bashkuara.
Por ky është një mentalitet shumë i rrezikshëm, pasi çon në një konflikt të pandërprerë dhe në një rrezik gjithnjë të pranishëm të përshkallëzimit drejt një lufte bërthamore. Një pjesë e motivimit të Shteteve të Bashkuara është arroganca, besimi tek epërsia e saj në skenën globale.
Ndërkohë një pjesë tjetër bazohet tek frika, e cila nga ana e saj mbështetet tek padija mbi Rusinë dhe Kinën dhe tek idetë shumë të thjeshtëzuara mbi motivimet e këtyre të fundit. Sigurisht, një pjesë e qasjes aktuale nxitet nga motive financiare, pasi lufta është një biznes i madh, me më shumë se 1 trilion dollarë në vit shpenzime ushtarake vetëm në SHBA.
Presidenti Joe Biden i ka dhënë leje ukrainasve të godasin territorin rus pranë kufirit me armët amerikane. A rrit kjo rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit?
Rusia po fiton luftën ndaj Ukrainës në fushën e betejës. Ushtria ukrainase është shkatërruar në 2 vjet e gjysmë lufte. Qindra mijëra ukrainas kanë vdekur. Rusia dominon në fuqinë ajrore, artilerinë dhe forcat e stërvitura. Ndaj Perëndimi duhet të negociojë paqen. Por në vend të kësaj, ai po e përshkallëzon konfliktin.
Dhe kjo është një qasje shumë e rrezikshme. Nga njëra anë, Ukraina mund të humbasë lehtësisht shumë më tepër territor se deri tani. Nga ana tjetër, nëse Rusia do të vendosej me shpatulla pas murit, do të rritej shumë mundësia e një lufte bërthamore.
Çfarë mendoni mbi marrëdhënien midis mediave tradicionale dhe propagandës së luftës? A vuajnë edhe demokracitë, dhe jo vetëm regjimet autoritare, nga propaganda e luftës e udhëheqësve të tyre?
Mediat kryesore në SHBA dhe Evropë kanë qenë të tmerrshme. Ato kanë përcjellë propagandën e qeverive të tyre. New York Times, të cilin e kam lexuar për më shumë se 50 vjet, ka dështuar plotësisht t’i informojë lexuesit e saj mbi shkaqet themelore të luftës në Ukrainë.
Washington Post gëzon reputacionin e zëdhënëses së kompleksit të madh ushtarako-industrial që zotëron vendi. Ndërsa në pjesën më të madhe të Evropës, nga ajo që kam lexuar apo më kanë thënë kolegë të mençur, situata është po aq serioze, në mos edhe më e keqe.
Si e vlerësoni mbulimin mediatik në lidhje me atë që po ndodh në Rripin e Gazës dhe operacionin ushtarak të Izraelit?
Mbulimi mediatik mbi luftën në Gaza, ka qenë paksa më i balancuar sesa ai në Ukrainë. Edhe New York Times ka botuar disa artikuj kritikë ndaj Izraelit. Megjithatë, mediat kryesore amerikane priren t’i japin pak zë popullit palestinez, duke u mbështetur kryesisht tek burimet në Izrael apo Perëndim.
A po bën vërtet administrata Biden diçka për arritjen e një armëpushimi në Gaza? Duket se konflikti mund të përhapet së shpejti edhe në Liban…
Administrata Biden ka qenë një dështim total në Lindjen e Mesme. Shtetet e Bashkuara kanë qenë tërësisht bashkëpunëtore në luftën gjenocidale të Izraelit në Gaza. Biden dhe Blinken kanë shprehur kundërshtime ndaj sjelljes brutale të ushtrisë izraelite, por nga ana tjetër kanë vazhduar të dërgojnë armë dhe fonde.
Në praktikë, ata i dhanë dritën jeshile krimeve të luftës që ka kryer Izraeli në Gaza. Lobi izraelit ka treguar edhe njëherë se sa i fuqishëm është, edhe pse të rinjtë amerikanë dhe studentët në kampuset në të gjithë Shtetet e Bashkuara, kanë shfaqur kundërshtimin e tyre të fortë ndaj politikave të Joe Biden. Shtetet e Bashkuara duhet të ndryshojnë strategjinë e tyre, dhe të punojnë për të promovuar zgjidhjen me dy shtete, duke filluar me anëtarësimin e Palestinës në Kombet e Bashkuara.
Kohët e fundit Donald Trump ka deklaruar se zgjerimi i NATO-s drejt lindjes, ishte ai që e shkaktoi luftën në Ukrainë. Nëse Trump do të rikthehej në pushtet, a do të ndryshojë vërtet diçka në politikën e jashtme amerikane?
Në fakt kur Trump ishte president, administrata e tij e mbështeti zgjerimin e NATO-s drejt lindjes, duke përfshirë edhe Ukrainën. “Shteti i thellë” (shteti i sigurisë) ka shumë pushtet në Shtetet e Bashkuara. Ndaj edhe nëse Trump pretendon se ishte zgjerimi i NATO-s ai që e shkaktoi luftën, mund të mos e ndalojë dot si president.
Zgjerimi i NATO-s drejt lindjes, është një projekt afatgjatë i “shtetit të thellë”, që daton që nga vitet 1990. Është një qasje shumë iluzore dhe e rrezikshme. Po ashtu, dua të theksoj se Trump nuk ka zgjidhur asnjë problem në lidhje me Korenë e Veriut, Kinën, Iranin, Palestinën apo ndonjë rajon tjetër në krizë.
Prandaj, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve të nëntorit, unë nuk jam shumë optimist për politikën e jashtme të SHBA-së. Megjithatë, ne duhet të ushtrojmë presion për të pasur një politikë të re të jashtme të SHBA-së, pasi qasja aktuale e bazuar në arritjen dhe vazhdimin e hegjemonisë, po shkakton gjithnjë e më shumë konflikte dhe luftëra./Përshtati “Pamfleti”, nga “Il Giornale”ekonomisti i njohur amerikan lufta biznes shba ukraine rusi
Burimi