“Do dalim me lista të hapura”, Adriatik Lapaj: Po negocioj me Endrit Shabanin për koalicion
Kreu i “Shqipëria Bëhet” Adriatik Lapaj ka deklaruar se do të bashkojë forcat me kreun e “Nisma Thurje” Endrit Shabani. Në Podkastin e sotëm “Të Pashoq” në Kanalin në Youtube të “Pamflet”-it, Adriatik Lapaj tha se jemi duke e diskutuar.
Pjesë nga intervista:
Endrit Shabani deklaroi se do të gjejmë një metodë alternative për të dalë me Lista të Hapura. Çfarë mendoni ju?
Adriatik Lapaj: Shikoni ku na ka futur klasa e vjetër politike, në një rreth vicioz që njerëzve iu duhet shumë sforco për të gjetur një mënyrë për të garuar. Ne do dalim me lista ku do të ketë garë por formulën nuk do ta them ende. Unë kam bindje të fuqishme që do t’i rrëzojmë në Gjykatë Kushtetuese.
Teksa të gjithë kanë zgjedhur drejtuesit e rinj të qarqeve dhe kanë ndezur motorët e fushatës, keni një koment për këtë?
Adriatik Lapaj: Rama të bëhet gati sepse nëse qytetarët mandatojnë me besim të shtuar dhe na çojnë në Parlament me numra të konsiderueshëm do ta gjejë belaja. Rama nuk ka parë asgjë akoma dhe nuk e ka idenë se çfarë e pret.
Ku e bazoni këtë paralajmërim?
Adriatik Lapaj: Kjo nuk është një dëshirë. Kjo është një ambicie, ndërsa që do ta gjejë belaja është një fakt. Do të jenë njerëzit e pa korruptuar dhe të pa shantazhuar të cilët do të jenë në luftë me këtë sistem grabitqarësh.
Çfarë iu bën të besoni se do t’i mposhtni? Pasi forcat e reja kanë dështuar gjithmonë
Adriatik Lapaj: Më bën të besoj historia e përpjekjeve për të kërkuar pavarësinë e vendit edhe pse e cunguar nga të parët tanë edhe pse me sforco arritën të krijojnë një shtet. Besoj që gjithmonë popujt e gjëjnë mundësinë e rrugëdaljes dhe besoj që e janë njerëzit e duhur që do e çajnë sistemin dhe ndryshojnë fatin e Shqipërisë.
Vullneti masiv i qytetarëve do bëjë që Rama të mos zhbëjë rezultatin e zgjedhjeve. Ky sistem që kanë ndërtuar do të kthehet në varrin e tyre politik.