Çimka, GPS e aksesosë për BKH në terren, SPAK anulon tenderin sekret 321 mln lekë; paratë nga granti i agjencisë
Një tender i klasifikuar sekret, me vlerë prej 321 milion lekë të vjetra, i cili kishte si qëllim blerjen nga prokuroria e posaçme SPAK të pajisjeve teknologjike si çimka përgjuese, GPS dhe aksesorë të tjerë të sistemeve Softwere dhe Hardwere, është anuluar.
Për këtë procedurë të dështuar, në datën 21 qershor 2024 SPAK ka njoftuar dhe Agjencinë e Prokurimeve Publike, duke argumentuar se asnjë nga ofertat e paraqitura nga operatorët ekonomikë nuk përputhte kriteret e caktuara në dokumentet e SPAK.
Më tej prokuroria e posaçme argumenton se në vijim do marrë të gjitha masat e nevojshme për rihedhjen e procedurës së klasifikuar të prokurimit.
Ky tender sekret i etiketuar si “Loti II” zhvillohet në kuadër të mbrojtjes dhe sigurisë, për blerjen e sistemeve Teknologjike si “Hardware” dhe “Software” me qëllim suportin e hetuesve në hetimet e tyre të kryera në terren.
Fondi limit për blerjen e këtyre aparaturave është 321 milion lekë të vjetra, para këto që janë vënë në dispozicion nga granti i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
SPAK dhe agjencia e administrimit të pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara, në shumë raste bashkëpunojnë ngushtë me njëra-tjetrën, ku të gjitha pasuritë e sekuestruara dhe konfiskuara nga prokuroria e Posaçme, administrohen nga AAPSK-së.
Kësisoj një pjesë e buxhetit financiar, kalon për llogari të prokurorisë së Posaçme, me qëllim investim në infrastrukturë dhe mjete teknike për hetim.
Anulimi i këtij tenderi të kufizuar, vjen në një periudhë kur SPAK, vendosi në fillim të muajit qershor 2024 të anulojë një tender të dytë me vlerë financiare prej 1 milion e 105 mijë euro, shumë kjo që do shpenzohej nga prokuroria për blerjen e pajisjeve për sistem mbrojtje antiransomware, storage, server dhe switch.
Ky tender u anulua për shkak se SPAK kishte paracaktuar si fitues Bashkimi i Operatorëve ekonomikë “Axians Albania” plus “ATOM”, që administrohen nga Kleanth Prifi dhe dy biznesmenët Luan Basha dhe Armand Agolli.
Tenderët sekret, kryhen në kuadër të formatit të mbrojtjes dhe sigurisë, ku shpesh herë ato aplikohen nga SHISH për qëllime zbulimi dhe kundërzbulimi, SPAK për qëllime hetimi, Ministria e Mbrojtjes, SHIU, Ministria e Shëndetësisë, Policia e Shtetit apo Ministria e Brendshme.
Në këto tender marrin pjesë ato kompani që certifikohen dhe nga DSIK-ja dhe më pas është autoriteti kontraktues, në këtë rast SPAK, që mes 2,3 apo 5 subjekteve tregtare zgjedh më preferencialin për lidhjen dhe zbatimin e kontratës.
Në shumë raste në këto tendera fituesi është i paracaktuar dhe nuk është ka ndonjë garë të drejtë në pikëzimin e subjekteve pjesëmarrëse.
Thuajse me të njëjtën praktikë kryhet dhe procedura për shërbimin dhe mirëmbajtjes së aparaturave të qëndrës së përgjimeve në SPAK, që prej dy vite rresht fitohet nga një kompani e vetme. /Ora News
Burimi