Bujar Hudhri rrënqeth me momentet e fundit të Kadaresë: I shtrirë në tokë, zemra e la që në banesën e tij

Bujar Hudhri rrënqeth me momentet e fundit të Kadaresë: I shtrirë në tokë, zemra e la që në banesën e tij

Mëngjesi i 1 korrikut do të ishte dita kur shkrimtari i madh e kolosi të letrave shqipe Ismail Kadare do të mbyllte sytë përgjithmonë, duke lënë pas një ndjenjë trishtimi dhe dhimbje për të gjithë.
Në momentet e tij të fundit, pranë ishte botuesi, bashkëpunëtori dhe miku i tij i ngushtë Bujar Hudhri, i cili me gjysmë zëri rrëfeu atë që ai nuk e imagjinonte se do ti ndodhet në atë ditë të nxehtë korriku.
Hudhri së bashku me familjarët e Kadaresë e shoqëruan atë për në spital, ndërsa rrëfen detajet se si gjithë mbetën të shokuar kur shkrimtarin e madh zemra “e braktisi” që në banesë duke u rrëzuar në tokë pranë korridorit.
Këtë skenë Hudhri e kujton me dhimbje, ndërsa tregon se e njëjta situatë thuajse ishte përshkruar në mënyrë të përpiktë në fund të librit të kujtimeve të bashkëshortes së tij Helena Kadare “Kohë të pamjaftueshme”. Për të skena ishte e njëjtë, personazhe të njëjtë dhe fatkeqësisht i njëjti fund.
“Më vjen mirë që flitet e kaq shumë për një figurë të lartë si Kadare. Ka qenë viti 2011 kur Helena Kadare me dorëzoi librin e saj me kujtime “Kohë e pamjaftueshme” që në leximin e parë zonja Kadare kishte bërë një përshkrim shumë njerëzor dhe ka shkuar dhe më tej duke dhënë një detaj siç ishte se kush do ikte më parë nga kjo botë ajo apo bashkëshorti i saj. Dhe siç thoshte në fund të librit, që ishte edhe jeta kulture e 50 vite të Shqipërisë isha përfshirë aq shumë sa gati e besova se zoti Kadare iku dhe mora Helenën dhe i thash ma jep zotin Kadare ne telefon.  Kur doli në telefon i thash që lexova librin dhe doja të të dëgjoja zërin. Të lexoje atë fund dhe t’i dëgjojë zërin ishte një lloj magjie. Ai mund edhe të ketë qeshur se unë e përfytyroj reagimin. Kjo ngjarje mu kujtua se kishte lidhje me ditën e ikjes së tij, personazhet ishin po të njëjtët. Zonja Kadare e shtangur më mes të dhomës, Kadareja në korridor i shtirë, erdhi ambulanca, ne zbritëm dhe deri sa shkuam në urgjencë. Më pas na ndaluan të shinim. Angazhimet e mjekëve për ta risjelle në jetë zemrën e tij që ndoshta kishte pushuar që në apartamentin e tij. E gjitha kjo mu kujtua si një kontrast i madh dhe për të kuptuar se çfarë është jëta njerëzore dhe çfarë lëmë pas. Ky ishte një trishtim i madh”, tha Hudhri në një intervistë ekskluzive për “Jetë Shqiptare” në RTSH.
Kadare la pas një pasuri të tërë letrare, vepra që dëshmuan shtypjen e dhunshme të diktaturës ndaj intelektualëve në 50 vite. Për botuesin Hudhri, Kadareja ishte supersticioz dhe nuk tregonte se çfarë shkruante, por është i bindur që shkruante çdo ditë episode të shkurtra.
“Kadareja ka qenë shumë supersticioz nuk tregonte se çfarë shkruante. Këto i takojnë zonjës Kadare dhe ajo e di nëse ka lënë apo jo dorëshkrime. Shpesh më thoshte që shkruan episode të ditës si xhevahire të shkurtra”, tha Hudhri.
Ismail Kadare ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare më 1 korrik. Shqipëria dhe Kosova kanë shpallur ditë zie kombëtare në nderim të tij.
Burimi