Boll me parullën “ndaloni varkat”, si zgjidhet sfida e migracionit në Britaninë e Madhe

Boll me parullën “ndaloni varkat”, si zgjidhet sfida e migracionit në Britaninë e Madhe

Politikanët duhet të jenë të qartë se ata që janë të nxitur nga dëshpërimi për të rrezikuar jetën e tyre duke kaluar Kanalin, janë njerëz dhe duhet të trajtohen si të tillë.

Ngjarjet e këtij muaji në Britani kanë qenë shumë dëshpëruese. E kush mund t’i shohë imazhet e rebelëve në të gjithë Anglinë, që nxisin dhunë jashtë qendrave të emigrantëve, që djegin ndërtesat ku strehohen azilkërkuesit apo sulmojnë kalimtarët e pafajshëm ndërsa brohorasin “Ndaloni varkat!”, pa u ndjerë tërësisht i pashpresë për të ardhmen e këtij vendi?
Këto trazira kanë ngritur shumë pyetje sfiduese në lidhje me policimin, sistemin e drejtësisë penale dhe ndikimin e mediave sociale. Por po ashtu, ato kanë hapur mundësinë e një rivendosjeje në binarët e duhur të debatit mbi migracionin. Atëherë, çfarë duhet të ndodhë, kur të ketë marrë fund rrëmuja?
Një përgjigje është se ndryshimi i politikës apo i paraqitjes së saj, do të ishte t’i nënshtrohej trazirave të dhunshme. Megjithatë, edhe nëse është e justifikueshme, dhuna na tregon se diçka nuk është në rregull në shoqërinë tonë, siç e theksoi edhe Michael Heseltine me raportin e tij pas trazirave të Toxteth të vitit 1981.
Një pikëpamje tjetër, është se ajo që po ndodh tani pasqyron “shqetësime të ligjshme” në lidhje me migracionin, të cilat duhet të adresohen. Një pjesë e kësaj retorike, i afrohet në mënyrë të pakëndshme justifikimit me ksenofobinë dhe racizmin. Por edhe kur ndodh kjo, problemi i vërtetë me këtë argument është se ai është provuar dhe ka dështuar.
Tek e fundit, qeveria Sunak premtoi të “ndalojë varkat”, por edhe rrugët e ndryshme të migrimit legal. Ne kemi parë se si funksionoi kjo për konservatorët. Dhe do të ishte akoma më keq për laburistët. Përpjekja për të qetësuar pakicën e zëshme të publikut, e cila ka prioritet reduktimin e emigracionit, nuk do të fitojë dot votat e tyre.
Përkundrazi, do të largonte nga mbështetësit kryesorë të laburistëve, do të dëmtonte ekonominë dhe shërbimet publike. Megjithatë aty ku nuk gabon turma e “shqetësimeve legjitime”, është se trazirat zbulojnë disa gjëra të pakëndshme për shoqërinë britanike.
Ne krenohemi me të drejtë me diversitetin e klasës sonë politike; me faktin që racizmi i hapur është një tabu në debatin publik, ndryshe nga pjesa më e madhe e Evropës kontinentale. Apo që Mbretëria e Bashkuar është bërë në përgjithësi më pak e ndarë dhe më e integruar gjatë dekadave të fundit.
Gota është gjysmë plot. Por racizmi dhe islamofobia që kemi parë gjatë javës së fundit, e përhapur nga rrjete të gjera në internet – dhe me miratimin apo shkeljen e syrit nga disa politikanë dhe analistë të medias – tregon se ajo është gjithashtu gjysmë bosh.
Çdo strategji e besueshme nuk duhet vetëm të dënojë sjelljen e rebelëve, por edhe të adresojë drejtpërdrejt “shkaqet rrënjësore”. Si bëhet kjo? Së pari, duhet hequr dorë nga parullat e forta por të papërshtatshme që kanë pasoja në botën reale. Duhet të sulmoni dhe poshtëroni Rishi Sunak dhe Partinë Konservatore për faktin që po përpiqeshin të sulmonin azilkërkuesit, duke brohoritur  “ndalini zbarkimet me varka”.
Premtimi i Starmer për “shpërbërjen e bandave” nuk është në të njëjtën kategori, por mesazhi themelor i përpjekjes për të ndaluar ardhjet me varka, pa specifikuar nëse Mbretëria e Bashkuar do të përmbushë detyrimet e saj ndërkombëtare, rrezikon që të përfundojë në të njëjtin vend.
Po ashtu, politikanët duhet të jenë të qartë se ata që janë të nxitur nga dëshpërimi për të rrezikuar jetën e tyre duke kaluar Kanalin, janë njerëz dhe duhet të trajtohen si të tillë. Shumica e atyre që gjenden aktualisht në hotele, do të njihen si refugjatë dhe do të qëndrojnë përgjithmonë në Britaninë e Madhe.
Ndihma e tyre për t’u integruar – ekonomikisht dhe socialist – do të jetë pozitive për ta, e mirë për taksapaguesit, dhe po e tillë për komunitetet lokale. Qeveria britanike mund të dojë të nisë një debat më të gjerë në lidhje me Konventën e Refugjatëve, dhe nëse ajo është ende e përshtatshme për kohët e sotme.
Megjithatë është e paqëndrueshme bashkëjetesa e pakëndshme e besimit tek bujarinë jonë e qenësishme si britanikë, me dëshirën për të braktisur në mëshirën e fatit ata që ikin nga persekutimi. Po ashtu, ka një pandershmëri e madhe kur flitet për migracionin legal.
Fokusimi i vazhdueshëm tek retorika kundër migracionit – nga slogani “punët britanike për punonjësit britanikë” të Gordon Broën, tek mjedisi armiqësor me furgonët e tij me sloganin “Kthehuni në shtëpitë tuaja”, deri tek premtimet e përsëritura për të reduktuar shifrat e të ardhurve, padyshim që ndikuar tek qëndrimet e publikut.
Megjithatë gjatë gjithë kohës, politikë-bërësit e kanë njohur haptazi lidhjen midis migrimit dhe rritjes ekonomike. Ndaj shifrat mbetën të larta, edhe pasi ne kishim “marrë kontrollin”  e situatës pas largimit nga BE. Është situata më e keqe e mundshme, teksa janë emigrantët ata që paguajnë në fund koston kryesore.
Një politikë më e rreptë ndaj migracionit, e bën më të vështirë si plotësimin e stafit ashtu edhe financimin e shërbimeve publike, ndërsa kërkimet e fundit kanë nxjerrë në pah lidhjen midis rënies së cilësisë së shërbimeve publike dhe mbështetjes për të djathtën populiste.
Fajësimi i emigrantëve dhe i “elitës”, bëhet shumë më i lehtë në kontekstin e politikave publike të dështuara, edhe nëse kjo ka pak ose aspak lidhje me migracionin. Ky është qerthulli i rrezikshëm, nga i cili duhet të shpëtojmë.
Përtej politikës ndaj migracionit, ka shumë prova  – pavarësisht nëse e quani paragjykim, islamofobi apo thjesht racizëm – se Britania e Madhe ka një problem serioz me fanatizmin anti-mysliman, dhe këtu nuk është e imunizuar asnjë nga partitë kryesore.
Është e vërtetë që Britania ka një demokraci përgjithësisht të suksesshme multietnike dhe multikulturore. Megjithatë, të pranosh se kjo është një punë në progres, dhe që ka nevojë për përmirësime, nuk do të thotë të pranosh dështimin, dhe aq më pak të bësh lëshime për të djathtën ekstreme.
Ne nuk kemi nevojë për më shumë raporte mbi “kohezionin e komunitetit“ apo “pabarazitë etnike”. Në pjesën më të madhe, rekomandimet e tyre kanë rënë në vesh të shurdhër. Ajo që na nevojitet tani është veprimi, nga lart-poshtë dhe më e rëndësishmja nga poshtë-lart, i mbështetur nga retorika dhe burimet, për të bërë sërish funksional integrimin.
Ashtu si në vitet 1970, kjo do të jetë përgjigja më e fuqishme dhe më e qëndrueshme ndaj racistëve, në rrugët tona dhe jashtë tyre, të cilët duan të na përçajnë.
Shënim: Anand Menon, drejtor i institutit britanik  “Changing Europe”, dhe profesor i politikës evropiane dhe i marrëdhënieve të jashtme në Kolegjin Mbretëror të Londrës. Jonathan Portes, profesor i ekonomisë dhe politikave publike në këtë institucion./ Marrë nga: “The Independent”
Burimi