Bllokim të aeroportit, rrugëve dhe porteve? PD kërcënon me destabilizim pas marrjes të pandehur të Berishës!

Bllokim të aeroportit, rrugëve dhe porteve? PD kërcënon me destabilizim pas marrjes të pandehur të Berishës!

Berisha dhe partia që ai drejton, duket se e gjejnë zgjidhjen gjithmonë te destabilizimi.

Komunikimi i akuzave nga SPAK, ndaj ish-kryeministrit, Sali Berisha, për aferën “Partizani”, ka alarmuar Partinë Demokratike. Për t’i bërë ballë sfidës me drejtësinë dhe intimiduar atë, Berisha dhe partia që ai drejton duket se e gjejnë zgjidhjen gjithmonë te destabilizimi.
Pikërisht këtë paralajmëron edhe Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, i cili gjatë një interviste televizive deklaroi se shumë shpejtë do të nisin protestat dhe rrëmujat. 
“Jemi të gjithë në terren, në bashkëbisedim me qytetarët. Vjeshta do të jetë vjeshta e ndryshimit, do të jetë vjeshtë e nxehtë për qeverinë, por do të jetë vjeshta e ndryshimit”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka në një intervistë për emisionin “Pa Censurë”.
Noka e pranon se kjo nismë për protesta masive nuk ka funksionuar disa herë, por sipas tij, kjo ka ndodhur për shkak të Lulzim Bashës.
“Në 2017-ën, ai u mbyll në zyrë dhe bëri pazar. Tani nuk ka mbyllje në zyrë dhe nuk ka pazar. Po shkojmë drejt 2025-ës dhe nuk ka turp më të madh që këtu votat t’i diktojnë Bajrit, Ndokët, Rrajat, Troplinët, Çelët. Ne jemi gati të paguajmë çdo çmim për votën”, tha Flamur Noka.
I pyetur se çfarë do të bëjnë ndryshe këtë herë dhe nëse do të bllokojnë nyjet strategjike si rrugë, porte dhe aeroportin, Noka la të hapur çdo skenar. Ai theksoi gjithashtu se protestat nuk do të jenë të shkurtra, por bllokues dhe që sipas tij do të detyrojnë Ramë të japë dorëheqjen.  
“Pa diskutim, janë të gjitha në tryezën e diskutimeve. Të gjitha. Ajo që unë di të them sot është që ne nuk do të kemi një protestë një orësh apo dy orësh. Do të jenë të vazhdueshme dhe bllokuese për ta detyruar Edi Ramën t’i hapë rrugë demokracisë në këtë vend”, theksoi Flamur Noka.
Marrja e Berishës si i pandehur nga SPAK ka frikësuar të gjithë opozitën, kjo për shkak se në më pak se 8 muaj vendi do të shkojë një zgjedhje dhe kjo lëvizje e Prokurorisë së Posaçme mund të ndikojë te qytetarët./Pamfleti
Burimi