Berisha nën akuzë, Korreshi: SPAK me dy standarde, lideri i opozitës duhet të jetë në terren
Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi ka folur lidhur me situatën të cilën është duke u përballur Sali Berisha.
Ai u shpreh se SPAK është me dy standarde, teksa përmend këtu edhe çështjet e Tahirit dhe të Ahmetajt.
“Ka dystandardizim, duke nisur që nga Saimir Tahiri e deri tek Ahmetaj. Për Ahmetajn ishin 1400 faqe, ndërsa për Berishën nuk erdhi asnjë dokument që të bënte lidhjen mes asaj që kërkonte prokuroria. Kam dëgjuar që akuzohet për një vendim të këshillit të ministrave. Sa i përket korrupsionit pasiv, nuk e di se çfarë lidhje i kanë bërë, por mendoj se është ndonjë gozhdë Nastradini.
Ndërkohë, arresti i shtëpisë nuk ka më vlerë pasi Berisha as mund të prishë provat. Nuk ka më asnjë lloj fuqie apo të jetë në krye të kryeministrisë dhe të ketë mundësi. Po ashtu edhe për shkak të moshës që ka. Nuk e kuptoj këtë kohëzgjatje të masës së sigurisë arrest shtëpie”, tha deputeti i PD.
Më tej, Korreshi u shpreh se kreu i PD, Sali Berisha i duhet opozitës në terren teksa po shkojnë drejt zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme.
“Për mua Berisha jeton për politikën. Unë e di se çfarë bën dhe sesi pritet. Fushatat bëhen nga liderët e partive dhe do të ishte një minus shumë i madh për opozitën nëse nuk do të jetë Berisha në terren”, tha Korreshi për “A2 CNN”.
Burimi