“BE me dy standarde”, mesazhi i fortë i Spahiut: Nëse Parlamenti Evropian mandaton Belerin, Shqipëria të heqë ligjin e dekriminalizimit
Analisti Kreshnik Spahiu, u shpreh se nëse Fredi Beleri mandatohet si eurodeputet i Parlamentit Evropian, unioni do të tregonte se vepron me dy standarde.
Ai kujtoi se si Bashkimi Evropian ka kërkuar me këmbëngulje ligjin e dekriminalizimit në Shqipëri. Por, nëse Beleri, i cili është dënuar nga drejtësia shqiptare, merr zyrtarisht detyrën në PE, “s’kemi më të drejtë morale t’u themi të dënuarve që nuk mund të garojnë në zgjedhje”, tha ai.
“Qeveria shqiptare dhe parlamenti duhet të kontaktojnë me Bashkimin Evropian për të bërë të qartë standardin që do të ketë Parlamenti Evropian. A do të pranojnë si eurodeputet një person të dënuar për krim zgjedhor? Nëse BE hap praktikën që mandaton një të dënuar, atëherë Shqipëria duhet të kërkojë falje dhe të heqë ligjin e dekriminalizimit. Se çfarë kuptimi ka që Shqipëria ndjek një ligj të kërkuar nga BE dhe BE për vete nuk e respekton. Nëse Beleri do të mandatohet, ne s’kemi asnjë të drejtë morale t’u themi personave të dënuar në Shqipëri që nuk zgjidhesh se ke bërë burg”, tha ai i ftuar në “Top Story”.
Duke folur si jurist, Spahiu tha se dënimi i dhënë ndaj Belerit si dhe ish-kryebashkiakut të Kukësit, Safet Gjici, mund të ishte më i lehtë.
“Kemi dy kryetarë bashkie të dënuar me burg brenda 48 orësh. Unë i bëj një pyetje publikut. A është peshore e barabartë e drejtësisë, që për një seks më të lehtë se presidenti amerikan, të dënohet me 3 vite burg Gjici dhe me 2 vite Beleri. Për mua të dyja janë dënime të ashpra. Për mua, duhet të ishin më të ulëta, se burgimi e ka kryer efektin e vetë. Ligji parashikon që ekzekutimi me burg të hiqet dhe të lihet me shërbim prove për vepra penale brenda 5 viteve. Beleri është drejt mbylljes së dënimit, se ka 1.5 vite. Po të bëhej kështu, të lihej me shërbim prove katër vite.
Kjo është me dy standarde, se para zgjedhjeve po të përgjosh të gjithë kandidatët, nuk ka asnjë që nuk premton punë, ofron para etj etj për vota”, shtoi ai.
Burimi