Atentati ndaj 45-vjeçarit për tradhti, gruaja pranon lidhjen me kolegun te ERE
Efektivi 46-vjeçar Erjon Goxhara, vijon ende të jetë në arrati, pavarësisht negociatave me kolegë e familjarë, përfshirë edhe një bisedë me thirrje për vetëdorëzim të kryepolicit të Tiranës, Tonin Vocaj.
Goxhara, baba i dy fëmijëve, ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike pasi lëshoi 6 plumba ndaj Lorenc Kostës, 45-vjeçarit i cili kishte lidhje me gruan e policit, fakt i pranuar nga bashkëshortja pasi është marrë në pyetje nga hetuesit.
Historia jashtëmartesore duket se ka marrë jetë në ambientet e punës, pasi Kosta është inxhinier elektrik te Enti Rregullator i Energjisë, i njëjti institucion shtetëror, ku punon juriste edhe bashkëshortja e efektivit.
I plagosuri me origjinë nga Berati e banim në Tiranë, është nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Traumës pas ndihmës së parë që mori nga kalimtarë të rastit, ndërsa ndaj autorit, policia ka ngritur akuzën e vrasjes me paramendim të mbetur në tentativë.
Goxhara, më herët ka qenë komandant i repartit Shqiponja ndërsa së fundi punon në Drejtorinë për Kufirin dhe Migracionin në Tiranë, pozicion të cilin e humbi pasi menjëherë pas plagosjes, kryepolici Vocaj njoftoi largimin e tij nga radhët e uniformave blu.
Operacionet e kërkimit të forcave RENEA janë përqendruar në periferi të kryeqytetit, me dyshimin se Erjon Goxhara ndodhet në malin e Dajtit. Për këdo që jep informacion mbi vendndodhjen e 46-vjeçarit, policia ka shpërblim shumën 10.000 euro duke siguruar anonimatin e plotë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 të 19 gushtit 2024. Efektivi 46-vjeçar ka vepruar me gjakftohtësi për të plagosur Lorenc Kostën. Ky i fundit ka qenë duke ecur në këmbë në afërsi të kompleksit ‘Kika2’, ndërsa efektivi i policisë ka qenë me makinë. Efektivi ka ndaluar dhe e ka qëlluar duke e lënë të plagosur. Pas kësaj i ka bërë foto të plagosuri, i cili ishte i shtrirë në trotuar dhe i mbuluar me gjak.
Pas ngjarjes së rëndë, Goxhara është larguar me mjetin e tij në drejtim të banesës së tij, ka marrë një çantë me vete dhe menjëherë është larguar. Dyshohet se ai është larguar drejt Dajtit, ku edhe janë përqendruar kërkimet e policisë.
Burimi