Ata që investojnë sot në Bitcoin, duhet të kujtojnë historinë e J.P.Morgan me lustraxhiun e këpucëve
Zotëruesit e kriptomonedhave, nuk mund të mbështeten as tek mundësia e konvertimit të tyre në monedha të ligjshme me të njëjtën vlerë nominale. Dhe mbi të gjitha, ato nuk munden as të konsiderohen si monedha…
J.P.Morgan, një nga bankierët më të famshëm në historinë e Amerikës, dhe themelues i bankës së investimeve me të njëjtin emër, kishte një zakon të përditshëm para se të hynte në Wall Street: të lyente këpucët, në mënyrë që ato të shkëlqenin gjithmonë.
Një ditë, lustraxhiu i këpucëve, arriti të tejkalojë druajtjen dhe ngurrimin përballë një figure publike aq me peshë, dhe në momentin e pagesës për shërbimin e përditshëm, e pyeti miliarderin: ”Më falni zotëri, a mund të më thoni nëse ky është një moment i mirë për të investuar në bursë?”.
Morgan e pa vëmendje por nuk i ktheu përgjigje. Megjithatë i bëri shumë përshtypje pyetja. Ai u ngrit nga karrigia, e pagoi dhe e përshëndeti lustraxhiun, u ngjit në zyrën e tij dhe brenda 2 ditëve që pasuan i shiti të gjitha aksionet e tij në bursë.
Ishte vjeshta e vitit 1929, dhe disa javë më vonë ndodhi kolapsi më i bujshëm në historinë e Wall Street-it dhe i bursave perëndimore. Morali i kësaj historie është shumë i thjeshtë: kur ethet e spekulimeve nisin të prekin edhe qytetarët e thjeshtë, kjo do të thotë që flluska është fryrë në maksimum, ndaj duhet vepruar me shpejtësi për të shpëtuar atë që është ende e mundur nga pasuria juaj.
Për momentin, është e pamundur të përcaktohet nëse Bitcoin është një flluskë në sistemin financiar, e cila është gati për të shpërthyer. Por nga ana tjetër, është e sigurt se spekulimet mbi të po arrijnë nivele të pa dëgjuara më herët.
Kështu kriptomonedha më e famshme në botë, është gati të thyejë pragun psikologjik prej 100 mijë dollarësh për një copë. Që kur zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara u rifituan nga Donald Trump, vlera e saj rrit me 45 për qind.
Ndërkohë rritja e vlerës së Bitcoin në krahasim me fillimin e këtij vitit është mbi 120 për qind, dhe 515 për qind nga nivelet e tij më të ulëta në tetor 2022 (vetëm 16 mijë dollarë për copë). Po flasim për shifra marramendëse, të cilat nga pikëpamja ekonomike nuk kanë asnjë bazë shpjegim real nëse nuk nxiten nga një spirale spekulative.
Sigurisht, ka disa faktorë që i bëjnë Bitcoin më tërheqës, siç është mbështetja e plotë që u japin atyre dyshja Trump-Musk, apo edhe dhe zërat që duan presidenti i ri i SHBA-së të krijojë një ekip të përkushtuar për këtë sektor, në mos edhe një ministri të veçantë për kriptomonedhat.
Por edhe nga njoftimi i kreut të Komisionit të Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve (SEC) Gary Gansler – armiku kryesor i botës së kriptove – se do të japë dorëheqjen sapo Donald Trump të marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë më 20 janar të vitit që vjen.
Me pak fjalë, që këto janë kohë të favorshme për monedhat dixhitale, ky është një fakt që e shohin të gjithë. Por kjo nuk mjafton për të justifikuar euforinë e tregjeve mbi këto mjete të dyshimta financiare. Dhe kur ka një ndërprerje midis ekonomisë reale dhe financave, ekziston gjithmonë spekulimet që funksionojnë në hije.
Edhe këtu ka një fakt që shpjegon gjithçka më mirë se sa një mijë fjalë: tregtia ditore e kriptomondhave vetëm në Shtetet e Bashkuara, e tejkalon aktualisht shifrën e 30 miliardë dollarëve. Dhe disa raporte thonë se më shumë se 10 për qind e konsulentëve të kompanive financiare, po i rekomandojnë tashmë klientëve të tyre blerjen e Bitcoin.
Përqindja e tyre mund të rritet së shpejti në 25. Kjo është arsyeja se përse mund të ribëhet aktuale historia e lustraxhiut të këpucëve me bankierin e famshëm. Nuk është rastësi që këto ditë, autoritetet mbikëqyrëse të gati gjysmës së vendeve të botës, po i paralajmëron qytetarët mbi rreziqet ku mund të përfshihen, duke nxituar të investojnë në një instrument që është thjesht financiar, pasi kriptomonedhat janë gjithçka tjetër veçse jo monedha.
Mjafton të kujtojmë se kriptot nuk janë mjete të ligjshme, dhe as nuk përdoren si një mjet shkëmbimi: ra nuk mund të shkosh në një lokal dhe paguash brioshin dhe kapuçinon me Bitcoin. Këtë gjë e dinë si Banka e Italisë ashtu edhe Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve, që javën e kaluar patën dy qëndrime publike.
Zëvendësdrejtorja e përgjithshme e Bankës së Italisë, Chiara Scotti, deklaroi të mërkurën e javës së kaluar: “Aktivitetet e kriptomonedhave – veçanërisht kur nuk janë të ankoruara tek një vlerë themelore – mund të karakterizohen nga një luhatje e madhe, e cila me kalimin e kohës e bën të paqëndrueshme vlerën e tyre. Për këtë arsye ato janë tërësisht të papërshtatshme për t’u përdorur si para. Parametri krahasues i përshtatshëm për këtë lloj aseti, është një investim spekulativ me rrezik të lartë”.
Njoftimi mbi një sulm kibernetik, postimet në një media sociale apo aktivitetet e spekulimeve, mund të sjellin luhatjen e çmimit të një kripto-pasurie me shumë përqindje brenda shumë pak minutave, duke e bërë atë një instrument financiar shumë të paqëndrueshëm.
Zotëruesit e kriptomonedhave, nuk mund të mbështeten as tek mundësia e konvertimit të tyre në monedha të ligjshme me të njëjtën vlerë nominale. Dhe mbi të gjitha, ato nuk munden as të konsiderohen si monedha.
“Blerja e Bitcoin apo Ethereum është e barabartë me blerjen e një çipi në kazino, pa pasur një kartëmonedhë”- theksoi Scotti. Edhe më i qartë në lidhje me to është Federico Cornelli, komisioner i Komisionit të Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve në Itali, i cili foli së fundmi në një konferencë me investitorët kryesorë në Itali.
“Duhet mos harruar në asnjë rast se këto mjete janë shumë spekulative. Pas tyre nuk ka asgjë, dhe siç e ka theksuar tashmë kreu i komisionit Paolo Savona, nuk ka një debitor. Kjo është shumë e rëndësishme të mbahet mend, sepse nëse do të ndodhte ndonjë gjë me këto instrumente, askush nuk mund të paraqitet tek autoritetet apo qeveritë me kërkesën për t’u rimbursuar”.
Me pak fjalë, Cornelli parashikon tashmë paraqitjen së shpejti para selisë së qeverisë italiane të një grupimi kursimtarësh të vegjël të mashtruar nga Bitcoin, ku me një megafon ata do të pretendojnë të drejtën për t’u kompensuar nga qeveria. Një skenë e tmerrshme. /Përshtati “Pamfleti” nga “Huffington Post Italia”
Burimi