Artan Hoxha rishfaqet pas goditjes nga SPAK: Lojërat e fatit të kontrolluara nga lart, do blejnë zgjedhjet e reja
Gazetari Artan Hoxha, është rishfaqur në media pasi u mor nën hetim nga SPAK për lidhje me krimin. I ftuar në Çim Peka Live në SYRI TV, ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me ndikimin e industrisë së lojërave të fatit në politikë dhe veçanërisht në fushatat zgjedhore.
Ai theksoi se të ardhurat nga kjo industri, të kontrolluara përmes kompanive me lidhje politike dhe organizatave kriminale, do të jenë ndër sponsorët kryesorë të fushatës së ardhshme. Hoxha ngriti shqetësimin se këto kompani, që operojnë pa paguar detyrime dhe mbajnë territore nën kontroll, përdorin fuqinë ekonomike për të ndikuar në jetën politike të vendit.
Sipas tij, ky sistem i ndërlidhur mes politikës dhe grupeve kriminale thellon korrupsionin dhe cenon integritetin e proceseve demokratike. “Këto para do të jenë thelbësore për financimin e fushatës,” u shpreh ai, duke nënvizuar një realitet shqetësues për demokracinë shqiptare.
“Sot lojërat e fatit funksionojnë në këtë mënyrë: një kompani legale, ose më saktë një kompani që ka lidhje me pushtetin, sepse sot nuk hap dot asnjë sallon, asgjë, pa e rregulluar me policinë. Është si puna e call center-ave.
Ti je i detyruar, dhe edhe policia është e detyruar sepse i vjen urdhri nga lart. Sot funksionon në këtë formë: ti ke një kompani që pret të legalizohet, por nuk kanë interes ta legalizojnë. Pas saj është një organizatë. E di pse duhet organizata? Sepse ajo është në gjendje të mbledhë borxhet, të mbajë kundërshtarët larg, sepse bëhet fjalë për një treg ilegal. Aty vijnë dhe të bëjnë presion. Atëherë, si mund të funksionosh te lojërat e fatit nëse nuk ke dikë që të të mbrojë krahët?
Po them sot, në çdo qytet të madh të Shqipërisë, territoret janë të ndara dhe asnjë operator nuk mund të hyjë dot. Nëse tenton të futesh në lojëra fati në mënyrë të paligjshme, do të vijnë tek dera. Gjithçka është ndarë: ke një nga këto kompani legale që ka lidhje me pushtetin dhe një organizatë pas saj.
Sot, të ardhurat që vijnë nga kjo industri do t’i shikoni në fushatën që po vjen, ku do të jenë ndër sponsorët kryesorë. Për ta, këto janë thjesht para, të ardhura pa asnjë detyrim. Ata mbajnë thjesht nën kontroll territorin”, u shpreh gazetari Hoxha.
Burimi