Arbitrazhi “gjunjëzon” Bankers Petroleum, hajdutët e naftës duhet të kthejnë paratë që u kanë vjedhur shqiptarëve
Bankers Petroleum
Referuar vendimi të gjykatës, Bankers do të duhet t’i kthejë Shqipërisë një pjesë të fitimeve të padeklaruara….
Merr fund livadhisja e Bankers Petroleum. Prej vitesh kjo kompani ka marrë naftën shqiptare dhe ka shmangur detyrimet, duke qenë një nga kontratat më abuzimeve në vend. Por Arbitrazhi i ka dhënë një goditje të fortë sot Bankers.
Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit ka vendosur në favor të Shqipërisë në çështjen që kishte përballë Bankers Petroleum. Këta të fundit, në vitin 2015 ju drejtuan Arbitrazhit, pas urdhrit të Drejtorisë së Tatimeve për të bllokuar llogaritë bankare të kompanisë në Shqipëri me qëllim marrjen e 75 milionë dollarëve, të cilat Tatimet pretendonin se duhet të paguhen nga kompania.
Gjithçka nisi pas një auditimi të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore për vitin 2011. Mbi bazën e këtij raporti Drejtoria e Tatimeve kishte përllogaritur detyrimet e kompanisë nga viti 2011 deri në vitin 2014.
“Në përfundim të gjykimit, dhe pse Bankers kërkoi me anë të arbitrazhit të mbajë të gjitha shumat e gjeneruara nga prodhimi i fushës së Patos Marinzës me anë të procedurës së rikuperimit të kostove, Shqipëria ja doli të ketë epërsi mbi shumë nga çështjet e interpretimit të Marrëveshjeve përpara Tribunalit”, thekson gjykata.
Bankers Petroleum ka pasur një mosmarrëveshje të gjatë me autoritetet shqiptare në lidhje me nivelin e shpenzimeve të rikuperueshme sipas kontratës koncesionare të nxjerrjes së naftës në Patos Marinzë. Referuar vendimi të gjykatës, Bankers do të duhet t’i kthejë Shqipërisë një pjesë të fitimeve të padeklaruara.
“Një rezultat i tillë vepron si një precedent i rëndësishëm për llogaritjet e ardhshme të tatimit mbi fitimin si në Patos Marinzë ashtu edhe në të gjitha asetet e tilla që i përkasin shtetit shqiptar ku zbatohen marrëveshje të ngjashme licencimi. Vendimi është gjithashtu një përligjie e fortë e auditimeve të shtetit në aktivitetet e hidrokarbureve si dhe e vendimit të tij për të kundërshtuar kostot e rikuperuara”, thuhet më tej.
Pas një auditi në vitin 2015, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore pretendoi për një shumë prej 247 milion dollarësh shpenzimesh të pajustifikuara, të cilat nuk ia njohu si kosto që zbriten për efekt tatimi, por Bankers nuk pranoi të paguante detyrimet.
Edhe KLSH më pas arriti në përfundimin se Bankers kryeson listën e kompanive që i ka shkaktuar dëmin më të madh shtetit nga mosrespektimi i marrëveshjes hidrokarbure me kompaninë Albpetrol. Këtë e ka favorizuar edhe monitorimi i dobët i marrëveshjeve nga vetë shteti. Sipas auditit ka rezultuar se kompania, Bankers ka deklaruar shpenzime të fryra, të cilat kanë dalë jashtë pasqyrave financiare të miratuara nga Albpetrol
KLSH, thotë se vetëm si pasojë e mos arkëtimit të tatim-fitimit nga Bankers, buxheti nuk ka arritur të arkëtojë 341 milion dollarë të ardhura në vite. Në bazë të monitorimit që i është bërë edhe periudhës së shpërthimeve në Patoz – Marinëz, KLSH ka konkluduar se fajtore për to ka qënë Bankers, teknologjia e përdorur dhe sasia e injektimit të squfurit ka qënë në kundërshtim me normat e lejuara nga OBSH dhe ende dhe sot nuk është ndërruar.