Akuzat e SPAK/ Nga Damir Fazlliç te përfitimet e Abit dhe Argitës, e vërteta për Porto Romanon!
Mes shumë aferave që SPAK ka zbuluar te dosja kundër Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit është dhe privatizimi i tokave në Porto Romano. Sipas SPAK, edhe aty u favorizua dhëndri i kryeministrit të asaj kohe, teksa në skenë del Damir Fazlliç.
Por çfarë ka ndodhur realisht? Pse SPAK nuk e hap më vete këtë dosje, pasi faktet tregojnë se kemi të bëjmë me një skemë të mirëfilltë korrupsioni. “Pamfleti” po e risjell për publikun gjithë historinë e Porto Romanos, pasi ky rast është trajtuar me dhjetëra herë në media.
Skandali i Porto Romanos
Sali Berisha në tetë vitet e qeverisjes së tij, katër vite me aleatët e djathtë dhe katër vite me Ilir Metën, dha gjithçka me koncesion, duke filluar nga Porto Romano e deri te ‘Pullat Fiskale’. Dhe gjatë tërë kësaj periudhe ka qënë vetëm një partner i besueshëm me të cilin ka bashkëpunuar ngushtë, miku i tij serbo-boshnjak Damir Fazlliç.
Kuptohet bashkë me të kanë qënë ndërmjetës dhe përfitues direkt dhe fëmijët e ish kryeministrit, Argita Malltezi Berisha dhe Shkelzen Berisha. Të cilët kanë qënë të përfshirë në të gjitha aferat e mundshme në tetë vitet e qeverisjes së babait të tyre Sali Berisha.
Serbo-boshnjaku Damir Fazlliç dhe Argita Berisha Malltezi, miku dhe vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha kanë përfituar 1,75 milionë euro nga shitblerja e tokave në zonën e Porto Romanos, pasi kishin informacion paraprak se zona do shndërrohej në park energjetik.
Një përfitim me një “dorë”, sepse Berisha me një vendim qeverie pas blerjes së Porto-Romanos nga Fazlliç dhe Argita, e shpalli atë park energjetik, madje miratoi dhe ndërtoi dhe rrugën për tek kjo tokë, e blerë më parë badihava nga dyshja në fjalë.
Historia
Fazlliç synonte të ngrinte një perandori energjetike në zonën e Porto Romanos. Në kompanitë e tij, administrator ishte Erion Isufi, kunati i Lulzim Bashës.
Eksperte kontabël ishte Shpresa Breçani, mbesë e ish-kryeministrit Sali Berisha. Për ndihmë juridike, përkrah tij ishte zyra ligjore e Argita Malltezit dhe Flutura Kolës. Bashkëshortët e dy juristeve, përkatësisht Jamarbër Malltezi dhe Florenc Kola ndërmjetësuan për blerjen e tokës në Porto Romano.
Malltezi dhe Kola shfaqeshin edhe si blerës te fshatarët, duke ia shitur më pas tokën Fazlliçit disa herë më shtrenjtë. Skemën e ka pranuar vetë Flutura Kola në dëshminë e dhënë përballë prokurorit, në një hetim që u hap nën dyshimet për pastrim parash.
Kola ka shitur plot 8 parcela me vlerë 257 mijë euro, referuar dokumentit që Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave i adreson Prokurorisë. Aty thuhet se mund të ketë kontrata të tjera që nuk janë paraqitur.
Në total, u siguruan për llogari të dy kompanive të Fazlliçit, që administroheshin nga Erion Isufi plot 14 hektarë tokë. Çmimi i paguar nga Fazlliç ishte 18 euro ndërsa fshatarët kanë marrë vetëm 10 euro për metër katror.
Jamarbër Malltezi blen nga pjesëtarë të familjes Matmuja në Porto Romano parcelën me numër 18/24, me sipërfaqe 6512 metër katrorë.
Vlera e shitjes është rreth 7.8 milionë lekë të reja, kontratë ku e njëjta pronë, i shitet kompanisë së Fazlliçit nga Malltezi. Vlera e shitjes plot 117 mijë euro apo rreth 15 milionë lekë, pra, dyfish. Në këtë formë është vepruar edhe me parcelat e tjera nga Malltezi dhe Kola. Për 14 hektarë ata kanë fituar në total nga kjo manovër mbi 1.1 milionë euro.
Fill pasi u mbyllën transaksionet, Berisha përfshin brenda parkut energjetik të Porto Romanos edhe tokat e Damir Fazlliç. Vlera e tokës u 8-fishua. Për 14 hektarë tokë, janë paguar afro 2.5 milionë euro nga biznesmeni boshnjak. Fazlliç e kuptonte se gjysmën e parave i morën Malltezi dhe Kola, por sërish ishte i kënaqur me pazarin. Ai e dinte me saktësi që Berisha do e favorizonte. Këtë, e ka zbuluar Flutura Kola para prokurorit, kur dhe nisën hetimet.
Berisha u shfajësua teksa tha se Porto Romanon e kishte shpallur park energjetik Fatos Nano që në vitin 2001. Në fakt, thelbi i favorizimit të Fazlliçit qëndronte tjetërkund. Pikërisht te vendimi i Berishës për të zgjeruar hapësirën e parkut me tokat e biznesmenit boshnjak. /Pamfleti
Burimi