Afera “Partizani”/ Kush është personi që SPAK thotë se korruptoi Malltezin dhe Sali Berishën?
Berisha dhe Malltezi
Numri i personave të akuzuar për dosjen “Partizani” ka shkuar në pesë, ku tashmë veç Sali Berishës dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, të akuzuar janë edhe ndërtuesi Fatmir Bektashi, Andia Pustina dhe Xhimi Begeja.
Mësohet se ndërtuesit Fatmir Bektashit, në SPAK i janë komunikuar ditën e sotme akuzat për korrupsion aktiv të funksionarëve shtetëror dhe pastrim të parave.
SPAK thotë se Bektashi është personi që ka korruptuar Jamarbër Malltezin, dhe më pas ky i fundit Sali Berishën.
Edhe vetë Berisha ditën e djeshme teksa doli nga dyert e SPAK, pranoi pas këmbënguljes së gazetarëve se është marrë si i pandehur nga Prokuroria e Posaçme.
“Sot jam i pandehur… Më thanë më ka korruptuar dhëndri im!”, tha Berisha.
Po ashtu e pandehur do të merret edhe shtetasja Andia Pustina, të cilës do t’i komunikohet akuza e pastrimit të parave, ndërsa iu komunikua akuza për pastrim parash edhe Xhimi Begejas.
Afera Partizani
SPAK mori me 11 shtator 2024 zyrtarisht të pandehur Sali Berishën dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi lidhur me me aferën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.
Me një dosje me prova prej 500 faqesh dy prokurorët e SPAK akuzojnë ish-kryeministrin për ‘korrupsion pasiv’ e kryer në bashkëpunim, ndërsa dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi e akuzojnë për ‘korrupsion pasiv e kryer në bashkëpunim dhe ‘pastrim parash”. Por Sali Berisha, ende pa e lexuar dosjen, shpërtheu në akuza ndaj SPAK, duke i cilësuar 500 faqet si ‘mashtrime’.
Prokuroria e Posaçme e akuzon Sali Berishën se gjatë kohës që ka qenë në krye të qeverisë ka favorizuar dhëndrin e tij një nga ish pronarët e truallit, mbi të cilin më pas, u ngrit 19 kulla.
Më 22 tetor 2023 SPAK zyrtarisht njoftoi se po hetonte Berishën për akuzën ‘Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë” dhe Malltezin për ‘Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe se ndaj tyre GJKKO kishte firmosur masat e sigurisë dy ditë para, pra 20 tetor.
Për shkak të refuzimit të Berishës për të zbatuar vendimin e gjykatës, SPAK i kërkoi leje Kuvendit për arrestimin dhe më 30 dhjetorit 2023 GJKKO rëndoi masën e sigurisë duke e vënë në ‘arrest shtëpie”. Ndërsa një muaj pas arrestit të Malltezit, (21 nëntor 2023) Apeli i GJKKO-së zbuti masën e sigurisë për të duke e lënë në ‘arrest shtëpie” Malltezin
Si e favorizoi Berisha dhëndrin që fitoi 5.4 mln euro
Ish-kryeministri Berisha, akuzohet se ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, për të favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një ndër pronarët e truallit ku shtrihej kompleksi sportiv Partizani, mbi të cilin ndërtoi më pas 19 kulla.
1- SPAK thotë se Sali Berisha në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, jane kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtëpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, Jamarbër Malltezi
2- Sali Berisha në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhërave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të Jamarbër Malltezit
3- Në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive në vendosjen në dispozicion të Malltezit, të strukturave të ndryshme të administrates shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore.
Malltezi akuzohet se ka kryer privatizimin e terreneve dhe objekteve sportive, me qëllimin e vetëm për t’u shtënë në dorë, ndryshuar destinacioni nga sportive në të banimit dhe përdorur për përfitime materiale./ Pamfleti
spak berisha
Burimi