“A po afrohet Zidan?” mediat franceze kundër Deshamp: Lëreni të luajë padel, na dhanë ‘leksion spanjoll’
“Të demaskuar”. Elokuent është titulli i faqes së parë të “L’Equipe”, një ditë pas eliminimit të Francës në gjysmëfinalen e Kampionatit Europian. Një dalje nga skena me shije “të hidhur”, që vë në dyshim disa elementë.
Duke nisur nga lidershipi i Didie Deshamp, pavarësisht se e ka arritur objektivin gjysmëfinal, të vendosur nga presidenti federal Filip Dialo, i cili nuk është i njëjti që rinovoi kontratën deri në vitin 2026, pas finales së Botërorit të humbur me penallti ndaj Argjentinës më 2022, në Katar.
Një turne që ishte sigurisht më brilant sa i përket lojës së propozuar në Gjermani, e cila i kishte hequr përkohësisht hijen e Zidan.
I ashpër është komenti i Vinsent Duluk, gazetarit kryesor të së përditshmes sportive franceze, i cili flet për një ndeshje “të keqe”, të humbur për shkak të “papërshtatshmërisë” së një skuadre që shfaqi “versionin jo të plotë të vetvetes deri në fund”.
Në të vërtetë, disfata ndaj Francës është “një dështim më i thellë dhe më i dhimbshëm”, sepse “skuadra më e mirë e dy Botërorëve të fundit u driblua si kadete” nga Spanja.
Ky Kampionat Europian ishte një “dështim sulmues, i rënduar nga rënia e Zhiru dhe Grizman, nga vështirësitë e Mbape dhe këmbëngulja e Deshamp për të kufizuar kohën e lojës së Barkola”.
Me pak fjalë, Francës iu dha “një leksion futbolli”. Ose një “mësim spanjisht”, siç shkruan pak më me ironi gazeta kryeqytetase “Le Parisien”. Për kombëtaren franceze “është më mirë të shmanget mendimi për Kupën e Botës, pa reflektuar mbi atë që ndodhi në Gjermani”.
Përtej fajeve të menjëhershme të Grizman dhe mbi të gjitha të kapitenit Mbape, i akuzuari kryesor mbetet Deshamp, “dështimi” i të cilit nuk mund të maskohet si ai i sulmuesve të tij, shkruan “L’Equipe”, duke u larguar nga Gjermania “pa gjetur zgjidhjen më të mirë për të shënuar gola”.
Franca shënoi shumë pak gola, duke prodhuar një lojë që shpesh kritikohej ashpër në shtëpi dhe më gjerë. Megjithatë, kualifikimi për në gjysmëfinale kishte qetësuar ujërat, që ishin të destinuara të ndryshonin në ditët në vijim, pavarësisht trajnerit në detyrë që nga viti 2012, i cili mori publikisht përgjegjësinë për humbjen, duke theksuar:
“Lojtarët e mi nuk ishin të gjithë në 100%. Në Europian duhet të ishim në maksimumin tonë, por përkundrazi rezultuam nën pritshmëritë e të gjithëve. Nuk kërkoj justifikime, por arritëm në gjysmëfinale. Tashmë, secili do të bëjë analizën e tij”.
Presidenti e kishte konfirmuar Deshamp një muaj më parë, “sepse ai ka një kontratë që skadon më 2026 dhe rezultatet janë në favor të tij”. Sidoqoftë, në Francë po ngrihen sërish zërat për të kërkuar dorëheqjen e trajnerit, siç bën hapur kolumnisti i “RmcSport”, Daniel Riolo: “Lëreni të shkojë të luajë padel”.
Ditët e fundit, Kristof Dugarri përsëriti kritikat e tij pas fitores ndaj Portugalisë. Ish-shoku i kombëtares së Deshamp ka mbështetur gjithmonë kandidaturën e Zidan, i cili ka pritur radhën që kur u largua nga pankina e Realit të Madridit në vitin 2021. Vazhdimi me Deshamp apo “gradimi” i Zidan në stolin e Francës? Debati sapo ka filluar…
didie deshamp trajneri i francës
Burimi