A do të jetë Argita kandidate për kryeministre në zgjedhjet e 2025-ës? Flet Berisha
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka lënë të hapur mundësinë që vajza e tij, Argita Berisha të kandidojë në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës.
Në një konferencë për mediat nga arresti shtëpiak, Berisha u shpreh se nuk e di nëse Argita Malltezi e ka këtë ambicie, por theksoi se nëse ajo dëshiron primaret janë të hapur.
“Do jeni në listë të hapur apo të mbyllur dhe a do të kandidojë Argita Malltezi?”, u pyet Berisha në video-konferencë.
“Të them të vërtetën në çdo listë për mua është njëlloj dhe nuk kam asnjë impresion. Sa i përket Argita Malltezit, atë nuk e vendos unë, por vetë ajo, nëse dëshiron primaret janë të hapura. Por nuk e di nëse ka ndonjë ambicie apo jo”, tha Berisha.
Berisha u pyet gjithashtu nëse ka një plan “B” për Partinë Demokratike nëse dënohet nga GJKKO. Ai la të nënkuptohet se nuk do të tërhiqet teksa u shpreh se përpjekja për të uzurpuar PD do të dështojë.
“Rreth dy vite më parë Rama e Balla organizuar atentat ndaj meje në mes të ditës. Në korridoret e këtyre kriminelëve flitej se janë orët e fundit të Sali Berishës, vazhdova miting pa asnjë plan B. Përpjekja për ti uzurpuar PD udhëheqjen, dështoi dhe do të dështojë, kjo është betejë për sovranitetin e vendit, për themelin”, u shpreh kreu i PD.