61-vjeçari ra në makinerinë e përpunimit të inerteve dhe vdiq, arrestohet pronari i kompanisë; fshehu edhe kamerat e sigurisë
Një ngjarje rëndë ndodhi dy ditë më parë në Skuraj të Kurbinit, pasi një 61 vjeçar humbi jetën tragjikisht teksa po punonte. Ai ra të premten në makinerinë e përpunimit të inerteve, duke marrë plagë të shumta. Fatkeqësisht 61 vjeçari vdiq në spital.
Por policia bën me dije sot se ka arrestuar pronarin e kompanisë ku ai punonte. Përveç se nuk garantonte sigurinë në punë, ai ka fshehur edhe kamerat e sigurisë duke tentuar të manipulojë ngjarjen.
“Në vijim të informacionit të dhënë më datë 23.11.2024, se gjatë punës në një subjekt në Skuraj, ishte rrëzuar nga lartësia, shtetasi F. H., i cili si pasojë humbi jetën, në spital, ju bëjmë me dije se si rezultat i kontrolleve, Komisariati i Policisë Kurbin kapi dhe ndaloi shtetasin e shpallur në kërkim, K. Ll., 53 vjeç, banues në Fushë Mamurras.
Nga hetimet dyshohet se shtetasi F. H. u rrëzua si pasojë e shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, në subjektin në pronësi të 53-vjeçarit dhe vëllait të tij. Gjithashtu, dyshohet se shtetasi K. Ll. ka hequr pajisjen DVR të kamerave të subjektit, me qëllim pengimin e zbulimit të së vërtetës së këtij rasti. Pajisja DVR u gjet nga Policia dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Vijon puna për kapjen e bashkëpronarit të subjektit, si dhe të drejtuesit teknik të tij”, njofton policia.
Burimi