500 faqet e SPAK: Si Berisha u pasurua nëpërmjet dhëndrit Jamarbër Malltezi

500 faqet e SPAK: Si Berisha u pasurua nëpërmjet dhëndrit Jamarbër Malltezi

 

Sipas SPAK, aksesi në pasuritë e bashkëshortëve Malltezi është i përhershëm nga familja Berisha dhe jo thjeshtë shfrytëzim i pasurive të tyre për akomodim…

Në materialin 500 faqe të akt-akuzës ndaj ish-kryeministrit, Sali Berisha, Prokuroria e Posaçme vë theksin në disa momente kyçe, mes të cilave pretendon të provojë korruptimin e tij.
Përmes ligjeve apo akteve nënligjorë të miratuara, një nga veprimet e kryera nga ish-kreu i ekzekutivit, që sipas SPAK i ka dhënë përparësi privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”, ka qenë një urdhër i firmosur nga Sali Berisha më 16 prill 2009.
Përmes tij, Berisha urdhëronte një kontroll tematik në Ministrinë e Mbrojtjes nga ana e departamentit Anti-Korrupsion të kryeministrisë ndaj një denoncimi të bërë nga katër anëtarë të familjeve ish-pronare, që pretendonin veprime abuzive të zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes.
Gjatë hetimit, SPAK ka pyetur firmëtarët, të cilët ndonëse konfirmojnë firmat, kanë pretenduar se nuk mbajnë mend të kenë firmosur shkresën. Sipas SPAK, në këtë rast, Sali Berisha ka përdorur funksionin e tij si kryeministër për t’i ushtruar presion kontroll Komandës Mbështetëse përmes një kontrolli, që nga kjo e fundit të çohej para procesi i kthimit të pronës.
Në vlerësimin në kompleksitet të elementëve të hetimit, SPAK evidenton një kohë të shkurtër të procedurës së privatizimit të ish-kompleksit, ndryshe nga shumë procedura të ngjashme për të tjerë ish-pronarë. Në lidhje me përfitimet financiare, Struktura e Posaçme thekson se Sali Berisha ka përfituar kryesisht përmes dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi. “Me qëllim ruajtjen e imazhit të një politikani që nuk është pasuruar asnjëherë, thotë SPAK, shtetasi Sali Berisha nuk do të rriste formalisht pasurinë e tij dhe ky përfitim do të kalonte tek shtetasi Jamarbër Malltezi”, thuhet aty.
Po sipas SPAK, aksesi në pasuritë e bashkëshortëve Malltezi është i përhershëm nga familja Berisha dhe jo thjeshtë shfrytëzim i pasurive të tyre për akomodim, por edhe përdorim i shumave monetare, në vlera që duke pasur parasysh nivelin ekonomik të një politikani shqiptar, vetëm në pagën e tij nuk justifikohen. Ndërkaq, SPAK veçon në dosje edhe një rast përfitimi direkt të Sali Berishës në kuadrin e fushatës zgjedhore të vitit 2013, ku një këngëtar i ftuar prej tij, ka marrë pagesat për akomodim dhe udhëtim nga një shoqëri ku ishte aksioner Jamarbër Malltezi.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Sali Berisha, ka pasur pushtetin e mjaftueshëm për të kontrolluar të gjithë sektorët që duhet të bashkërendonin për kthimin e plotë të territoreve dhe objekteve të ish-kompleksit sportiv Partizani. Në këtë mënyrë, sipas SPAK, ai ka marrë përsipër përmbushjen e kërkesave duke pranuar shpërblim, që në vijim kalon në bashkësinë ligjore të familjes së vajzës së tij, Argita Malltezi, përmes bashkëshortit të saj, Jamarbër Malltezi. (A2 Televizion)
Burimi