Haxhiu merr pjesë në pritjen zyrtare të Presidentit italian para hapjes së Lojërave Mesdhetare

Haxhiu merr pjesë në pritjen zyrtare të Presidentit italian para hapjes së Lojërave Mesdhetare

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në pritjen zyrtare të Presidentit të Italisë, Sergio Mattarella, para ceremonisë së hapjes së Lojërave Mesdhetare Taranto 2026. Haxhiu bëri të ditur përmes një postimi se pritja u mbajt në Kështjellën Aragoneze, ku u mblodhën përfaqësues të vendeve pjesëmarrëse në Lojërat Mesdhetare. Ajo e cilësoi pjesëmarrjen në këtë pritje si një kënaqësi, duke theksuar rolin e sportit si urë miqësie, afrimi dhe bashkëpunimi ndërmjet vendeve të Mesdheut. “Faleminderit Presidentit Mattarella dhe Kryeministres Giorgia Meloni për mikpritjen e ngrohtë”, shkroi Haxhiu. Lojërat Mesdhetare Taranto 2026 mbledhin sportistë nga vendet e rajonit të Mesdheut, ndërsa Kosova përfaqësohet me ekipin e saj në këtë ngjarje të rëndësishme sportive ndërkombëtare./KultPlus.com