“Zjerm” i Shkodra Elektronike, me mbi një milion shikime në Eurovision Song Contest

“Zjerm” i Shkodra Elektronike, me mbi një milion shikime në Eurovision Song Contest

Albert Vataj
“Zjerm” i Shkodra Elektronike vazhdon ta mbajë ndezur flakën e suksesit të arritur në edicionin e 63-të të Festivalit të Këngës në RTSH, duke bërë jehonë përtej kufijve shqiptarë. Me një trend të pandalshëm rritjeje, shikimet në kanalin zyrtar të Eurovision Song Contest në YouTube dëshmojnë për ndikimin dhe vlerësimin që kjo këngë po merr nga publiku ndërkombëtar.

Ky përfaqësim nuk erdhi thjesht si një krijim muzikor i radhës, por si një shpërthim artistik, një poezi e fuqishme, një duet i rrallë dhe një performancë e zjarrtë, tipike shkodrane, që përçoi një ndjesi të veçantë autenticiteti dhe pasioni. “Zjerm” nuk ishte thjesht një këngë e suksesshme; ishte një manifest artistik që dëshmoi se vlera ka ende vlerë dhe se suksesi mund të arrihet pa iu nënshtruar klisheve komerciale apo konformizmit të tregut. Triumfi i saj ishte i pastër, dinjitoz dhe meritues.
Në një kohë kur konsumi i shpejtë dhe format e lehta të artit po rrezikojnë thelbin e krijimtarisë së mirëfilltë, “Zjerm” erdhi si një frymë shprese dhe ringjalljeje. Ajo dëshmoi se arti i vërtetë ka ende fuqinë për të sfiduar shijet e zakonshme, për të rizgjuar ndjenjat dhe për të rikthyer përgjegjësinë krijuese si një kriter përfaqësimi. Pjesëmarrja e saj në Festivalin e Këngës në RTSH nuk ishte vetëm një akt konkurrimi, por një ballafaqim i guximshëm me pritshmëritë, një dëshmi e përkushtimit ndaj artit dhe një ftesë për të besuar se muzika mund të jetë ende një forcë që prek, frymëzon dhe bashkon.
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente