VOA: E majta fiton shumicën e vendeve në parlamentin francez

VOA: E majta fiton shumicën e vendeve në parlamentin francez

Një koalicion i majtë që u bë bashkë papritur përpara zgjedhjeve të parakohshme në Francë, fitoi shumicën e vendeve në parlament, sipas parashikimeve të dala pas mbylljes së procesit të votimit të dielën.
Parashikimet e papritura e rendisin aleancën e qendrës së Presidentit Emmanuel Macron në vendin e dytë dhe të djathtën ekstreme të tretën.
Pamundësia e sigurimit të një shumice qeverisëse nga ana e çdo aleance politike në vend, duket se do ta zhysë Francën në paqartësi politike dhe ekonomike.
Rezultatet përfundimtare nuk priten të dalin deri të dielën vonë në mbrëmje ose të hënën herët në mëngjes.
Sipas parashikimeve presidenti thellësisht jopopullor Emmanuel Macron ka humbur kontrollin e parlamentit. E djathta ekstreme e Marine Le Pen ka rritur në mënyrë drastike numrin e vendeve në parlament, megjithatë rezultatet ishin shumë larg pritshmërive.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Francë pritet të ndikojnë tek lufta në Ukrainë, diplomacia globale dhe stabiliteti ekonomik i Evropës.
Franca aktualisht përballet me perspektivën e disa javësh përpjekjesh politike për të përcaktuar se kush do të jetë kryeministër apo kush do të drejtojë Asamblenë Kombëtare. Zoti Macron përballet me mundësinë për të udhëhequr vendin krah një kryeministri, që kundërshton shumicën e politikave të tij të brendshme.
Nëse rezultatet zyrtarë konfirmojnë parashikimet ato pritet të zhytin vendin, një shtyllë e Bashkimit Evropian dhe ekonomia e dytë më e madhe në Evropë, në pasiguri e paqartësi intensive se kush mund të jetë partner me Presidentin Emmanuel Macron në detyrën e kryeministrit.
Këto paqartësi politike vijnë ndërsa në Partis pritet të fillojnë Lojrat Olimpike dhe kur sytë e gjithë botës do të jenë drejtuar tek ky vend.
Për politikanin e qendrës, 46-vjeçarit Macron, zgjedhjet parlamentare u shndërruan në një fiasko. Ai çuditi vendin dhe shumë në qeverinë e tij, duke shpërndarë dhomën e ulët të parlamentit, Asamblenë Kombëtare, pas një rritje të së djathtës ekstreme në votimet për zgjedhjet evropiane.
Presidenti Macron tha se votimet e reja do t’i ofronin Francës “qartësi”. Ai mendonte se me fatin e Francës në duart e tyre, votuesit mund të largoheshin nga e djathta dhe e majta ekstreme dhe të riktheheshin tek partitë kryesore më pranë qendrës — ku zoti Macron gjen shumë nga mbështetja që i dha atij presidencën në 2017 dhe përsëri në 2022. Ai shpresoi se kjo do ta forconte presidencën e tij për tre vitet e mbetura në detyrë.
Por në vend që të dilnin në mbështetje të tij, miliona votues në të majtë dhe në të djathtë të peizazhit politik gjithnjë e më të polarizuar të Francës, shfrytëzuan vendimin e tij të befasishëm, si një mundësi për të shprehur zemërimin e tyre dhe ndoshta për ta mënjanuar zotin Macron, duke i dhënë atij një parlament që tani mund të jetë përgjithësisht i formuar nga ligjvënës jomiqësorë ndaj tij dhe në veçanti, ndaj politikave të tij pro-biznesit.
Që në raundin e parë të votimit të fundjavës së kaluar, votuesit mbështetën masivisht kandidatët nga Bashkimi Kombëtar i së djathtës ekstreme, në një numër edhe më të madh sesa gjatë votimeve për Parlamentin Evropian. Një koalicion i partive të majta u rendit i dyti dhe aleanca e tij qendrore u radhit e treta, madje me diferencë të madhe.
Një parlament pa një shumicë të qartë qeverisëse, pa asnjë grupim politik që mund t’i afrohet marrjes së 289 vendeve të nevojshme për një shumicë absolute në Asamblenë Kombëtare, dhoma më e fuqishme nga dy dhomat legjislative të Francës, do të ishte një territor i pashkelur më parë për Francën moderne dhe do të sillte paqëndrueshmëri politike.
Ndryshe nga vendet e tjera në Evropë që janë më shumë të mësuara me qeveritë e koalicionit, Franca nuk ka një traditë që ligjvënësit nga kampet rivale politike të bashkohen për të formuar një shumicë qeverisëse.
Polarizimi i mprehtë i politikës franceze – veçanërisht në këtë fushatë të zjarrtë dhe të shpejtë – sigurisht që do të komplikojë çdo përpjekje për ndërtimin e koalicionit. Racizmi dhe antisemitizmi njollosën fushatën elektorale, së bashku me fushatat e dezinformimit rus, ndërsa mbi 50 kandidatë raportuan se ishin sulmuar fizikisht – diçka shumë e pazakontë për Francën. Qeveria tha se dislokoi 30 mijë policë për votimet për balotazhin e së dielës – një tregues i rrezikut të lartë dhe shqetësimeve se një fitore e ekstremit të djathtë, apo pa një fitore të qartë nga një grupim politik, mund të shkaktojë protesta.
Shumica që mund të krijohet nga koalicione paszgjedhore rrezikon të jetë e brishtë, e ekspozuar ndaj mocioneve të mosbesimit që mund të shkaktojnë rënien e saj.
Paqëndrueshmëria e zgjatur mund të shtojë sugjerimet nga kundërshtarët e tij se zoti Macron duhet ta përfundojë më herët mandatin e tij të dytë dhe të fundit. Kushtetuta franceze e pengon atë ta shpërndajë parlamentin përsëri në 12 muajt e ardhshëm, duke e hequr këtë si një mundësi për t’i dhënë Francës një qartësi më të madhe./VOA/
Burimi