
VIDEO/ Emigranti që hapi kantinë vere në Perlat, Rama: Shembull për t’u ndjekur
Nesti Bello pas 30 vitesh emigrimi në Itali u kthye në fshatin e lindjes, në Perlat të Durrësit ku hapi ”Kantinën Bello” dhe vijoi traditën e babait në prodhimin e një vere cilësore.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë në Facebook historinë e tij, teksa vuri në dukje se prodhimi i verës nga kjo kantinë sot ka kapur tregje të rëndësishme si Italia, Zvicra, SHBA-të. ”Ky është një shembull për t’u ndjekur nga shumë shqiptarë të tjerë që jetojnë mes dilemës për të qëndruar apo ardhur përfundimisht këtu”, tha Rama.
Nesti tregon se babai i tij e nisi prodhimin e verës në mënyrë artizanale si rrjedhojë e një pasioni që kishte. ”Pas 30 vite punë në Itali me verën, vendosa të kthehem dhe të punojmë në tokën tonë, në kantinën tonë. Duke parë zhvillimin e turizmit në Shqipëri ne kemi arritur në konkluzionin që kemi bërë gjënë e duhur me prodhimin e verës”, tha ai.
Sipas tij fshati Perlat ka traditë në prodhimin e verës dhe ka pasur mbi 450 ha vreshta dhe natyrisht, vuri në dukje ai, ”ne vendosëm të ruajmë këtë traditë për prodhimin e verës cilësore”.
Burimi