Shpresë për armëpushim në Gaza? Kolonel Demiraj analizon konfliktet
Federata ruse përgjatë 24 viteve nën drejtimin e Putin ka zhvilluar një gamë të gjerë armësh hipersonike. Kështu është shprehur në Ditarin me Bruna Çifligun, në A2 CNN, koloneli Dritan Demiraj, sipas të cilit, kreu i Kremlinit po zhvillon një luftë psikologjike kundrejt Perëndimit.
“Përdorimi i këtyre armëve është i papranueshëm. Përdorimi i Oreshnik shkakton shkatërrim të jashtëzakonshëm jo vetëm në vendin ku plasi. Është sulm që i tregon Perëndimit se ka aftësi për ta shkatërruar Ukrainën, por edhe perëndimin në çdo vend ku lind nevoja me armë konvencionale dhe i thotë ju nuk keni asnjë mundësi pavarësisht investimeve, armëve dhe sistemeve që keni, për t’u mbrojtur ndaj armëe të mia. Është luftë psikologjike. Presion ndaj perëndimit për ta penguar Ukrainën ndaj këtyre armëve që shkaktojnë goditje në distanca të largëta dhe për të krijuar kushtet për ulje në tryeze dhe për të fituar kohë deri sa të hyjë Trump në presidencë”.
Duke folur për situatën në Lindjen e Mesme dhe armëpushimin në Liban, Demiraj ia njeh aftësinë e arritjes së kësaj marrëveshje presidentit Biden, ndërsa flet për aftësitë për rigrupim të Hezbollahut pavarësisht humbjeve dhe shkatërrimit.
“Aftësia e SHBA-së e Franca për të mundësuar përpjekjet e DASH dhe Biden sollën armëpushimin. Të gjitha veprimet dhe objektivat strategjike ushtarake të Njetanjahut kanë dështuar se Hezbollah vetëm ditën e fundit raketat drejt Izraelit ishin mbi 345. Në aspektin politik dhe të mbështetjes popullore Hezbollah para se të jetë grup ushtarak, është parti politike dhe ky shkatërrim e ka dëmtuar politikisht, kurse ushtarakisht vrasja e 90 komandantëve strategjikë e ka dëmtuar por komandantët zëvendësohen. Hezbollah ka aftësi 100% që të rigrupohet tek të gjitha njësitet. 300 pozicione të fortifikuara aktive që do jetë e pamundur që të gjenden dhe shkatërrohen nga ana e Izraelit”.
I pyetur nëse armëpushimi në Liban mund të sjellë shpresë për armëpushimin në Gaza, Demiraj përgjigjet: “Armëpushimi në Liban u pa me gëzim nga e gjithë bota si mundësi për të krijuar kushtet për armërushim që po e kërkon gjithë bota, jo vetëm Gaza. Por duket qartë në deklaratat e Netanjahut përqëndrimi për të kundërshtuar e goditur Iranin, për t’i dhënë mundësi e frymë njësive ushtarake izraelite dhe për t’u përqëndruar e përfunduar operacionin ushtarak në Gaza. Tri ditët e fundit janë intensifikuar sulmi e presioni duke përdorur forma jo ligjore që përbëjnë krime lufte me qëllim që ta detyrojnë Hamasin të ulë armët”.
Burimi