Refugjatët nga Spanja në Shqipëri, Rama: Nuk e shoh të mundshme
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Madrid, ku ftoi turistët spanjollë në Shqipëri për të shijuar mikpritjen dhe bukuritë e natyrës. Nga ana tjetër, Rama u pyet nëse do të kishte firmosur një marëveshje për refugjatët me Spanjën. “Nuk jam i sigurtë që do të kishte shumë kuptim. Lidhet me gjeografinë. Nuk e shoh të mundshme. Dhe nuk besoj se është zgjidhja përfundimtare e krizës së emigracionit”,-tha Rama.
-Çfarë do të thotë për Shqipërinë të mikpres Shoqatën Botërore të Juristëve në 2027?
Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, në 2027 ne do të mikpresim një seri evenimentesh, të cilat do të kishin qenë të paimagjinueshme, jo 50 vjet më parë, por edhe pak vjet më parë, sepse në 2027, Shqipëria do të jetë mikpritëse, jo vetëm e Kongresit Botëror të Drejtësisë, por edhe e Samitit të NATO-s, e po kështu edhe e finaleve evropiane nën moshën 21 vjeç në futboll.
Kështu që këto janë gjëra të jashtëzakonshme që po na ndodhin, falë punës që kemi bërë sigurisht, sepse duhet të mbani parasysh që nuk ishte 100 vjet më parë, por ishte gjatë jetës sime. Ishim tërësisht të izoluar dhe ishim Koreja e Veriut të Europës, ishim të izoluar, qoftë nga Perëndimi, ashtu dhe nga Lindja dhe pretendonim se ishim vendi i vetëm i vërtetë e i mirëfilltë komunist dhe kishim vetëm 5 mijë vizitorë mesatarisht në vit, ndërkohë që vitin e kaluar e mbyllën me 12 milionë të tillë.
Na u desh të luftonim, të luftonim për shumë vite kundër stigmës, që në një farë mënyre na ka ndjekur si hije pas, qysh kur jemi hapur, e qysh kur erdhëm në Evropë, një stigmë që na donte të ishim kriminelë, na donte të ishim rrëmbyes, na donte të ishim hajdutë e çdo gjë me radhë, dhe po kështu kërkonte që Shqipëria të ishte një vend i zymtë, ku askush nuk duhet të shkojë, sepse është e rrezikshme. Por, për fat të mirë, e gjitha kjo ka marrë fund tashmë dhe të gjithë ata që vijnë në Shqipëri mrekullohen nga mikpritja, nga vendi i bukur, nga siguria.
Shqipëria është një nga vendet më të sigurta në Europë. Kemi normën më të ulët të vjedhjeve në Europë dhe nuk është qeveria që e thotë këtë, por organizatat ndërkombëtare. Tani kemi pak zënka me britanikët, sepse ata kanë normën më të lartë të vjedhjeve. Duhet ta kontrollojnë, se ndoshta nuk është e vërtetë, kështu që mikpritja e këtyre ngjarjeve na bën të ndihemi pjesë e të njëjtës familje të madhe të vendeve demokratike, të vendeve që e bëjnë këtë qysh prej shumë shumë vitesh.
Dhe meqë ra fjala, shpresoj që miku im i dashur dhe një prej udhëheqësve të mëdhenj të Europës së sotme, Pedro Sançez, jo vetëm që do të jetë kundër asaj çfarë po ju them, por kur erdhëm në Granada, prisja që të shijoja kuzhinën më të mirë spanjolle Alhambra, jo po flas për mikpritjen, nuk ishte ushqim i mirë dhe i thashë Pedros, – Po ç’është ky katering në Spanjë? Edhe më tha, prit të vijë darka, por në fakt kjo është ajo çfarë mund të marrësh në samite e kongrese në Europën e vjetër. Për ne do të thotë shumë, sepse mikpritja është e jona.
Ne jemi një vend myslimanësh, krishterësh, katolikësh, ortodoksish, por po feja jonë mbi fetë, është mikpritja dhe është e shkruar në ligjin tonë të parë, e shkruar qartësisht, që është “Shtëpia e shqiptarit, i përket Zotit dhe mikut” dhe miku është Perëndi për aq kohë sa Zoti nuk vjen vetë. Dhe kushdo që troket është vullneti i Zotit dhe për mikun, si për Zotin, ne bëjmë më të mirën.
Kështu që Turistët spanjollë që vijnë në Shqipëri mund të jenë dëshmitarë të kësaj, edhe kur ndodhi siç ndodhi verën e kaluar, kur Spanjës iu desh të luante me Shqipërinë në kampionatin europian e sigurisht që për ne ishte ndeshje shumë e fortë, por në të gjitha evenimentet e mbajtura jashtë, kur ndeshja po transmetohej përmes televizionit, tifozët shqiptarë nuk bërtisnin shumë, duke pasur tifozët spanjollë përkrah tyre dhe në fund duartrokitën Spanjën dhe në fund të gjithë tifozët spanjollë që qenë dëshmitarë thanë; “Çfarë është kjo? S’kemi parë asnjë vend I cili rrihet dhe duartroket”.
Së pari, nuk është dramë të rrihesh nga Spanja se halli nuk është do të rrihesh a jo, po sa shumë do të rrihesh dhe në fakt nuk u rrahëm aq keq, kështu që nga ana tjetër kjo është ajo që jemi, çfarë duam të jemi dhe është një mundësi shumë e mirë për të treguar këtë botë, se çfarë mund të jetë më e mirë se kaq dhe të zgjidhesh për këtë dhe Havieri e bëri shumë të qartë, nuk ka të bëjë vetëm me të gjeturit e një vendi të bukur. Ka dhe shumë vende tëë tjera të bukura ku nuk ka shtet të së drejtës, por Kkongresi nuk duhet të ndodhte, ka të bëjë me faktin që të shkosh në një vend ku Kongresi mund të mbajë qëndrimet e veta dhe ky është një shpërblim shumë, shumë i madh për ne.Të shohësh Shqipërinë të lëvdohet e të përgëzohet, të respektohet për atë çfarë po bën për të sjellë shtetin e së drejtë dhe shteti i së drejtës në një vend ku të gjithë janë kushërinj me të gjithë nuk është diçka e lehtë. Kështu që faleminderit shumë.
-Përshëndetje. Kam një pyetje. Vij nga Agjencia Europa Press. Javën e kaluar drejtësia italiane refuzoi për herë të tretë të zhvendosë emigrantët nga Italia në Shqipëri. Do doja të dija se cili është mendimi juaj për këtë dhe pse duket sikur plani po dështon?
Kryeministri Edi Rama: Nuk kam asnjë mendim për këtë dhe pyetja duhet t’i drejtohet simotrës sime italiane, pra simotrës së Italisë, Georgia Meloni sepse për ne, të qenit pjesë e kësaj marrëveshjeje është shumë e thjeshtë, është një rol shumë i thjeshtë. Na u kërkua nga Italia të ndihmojmë dhe kur Italia kërkon, ne ndihmojmë gjithmonë sepse marrëdhënia jonë është mijëvjeçare. Ne i detyrohemi shumë Italisë, sidomos për atë çfarë Italia ka bërë pas rënies së komunizmit e që na ka ndihmuar shumë në momente tejet dramatike. Së fundmi, por jo nga rëndësia, kur patëm tërmetin shkatërrues, trupat italiane të emergjencave civile erdhën dhe rrezikuan jetët e tyre për të shpëtuar njerëzit nga rrënojat, kështu që ata na e kërkuan këtë dhe e ndihmuam, siç mendoj çdo vend europian, çdo komb europian duhet të ndihmojë tjetrin apo duhet të ndihmojë njëri-tjetrin. Është një operacion që është 100% nën vëzhgimin dhe përgjegjësinë italiane. Dy qendrat kanë tipare extra-territoriale ndaj siguria, lëvizja, trajtimi, aspekti ligjor gjithçka është italiane. Kështu që, do duhet të pyesni palën italiane, jo ne.
-Ju nuk mendoni se është e mundur që keni një marrëveshje të tillë me Spanjën kur Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së?
Kryeministri Edi Rama: Nuk jam i sigurt që do të kishte shumë kuptim sepse lidhet po kështu shumë me gjeografinë. Në qoftëse e keni idenë e pozicionit gjeografik të dy vendeve, ne jemi njerëzit thonë të ndarë por unë them jemi të bashkuar nga deti me Italinë dhe e vetmja gjë që e bën këtë marrëveshje të arsyeshme është se migrantët nuk ndalojnë në Itali sepse po të ndalojnë në Itali hyjnë në territorin e Bashkimit Europian dhe vihen në lëvizje procedura të tëra, por ata ndalojnë në Shqipëri dhe sa e bëshme do të ishte për Spanjën që të ndalonin në Shqipëri, nuk e shoh këtë gjë të mundshme dhe nuk mendoj që në fund të fundit, kjo është zgjidhja përfundimtare e krizës kufitare europiane dhe të krizës së emigracionit sepse Europa besoj deri më tani gjendet në një pozicion të vështirë. Nga njëra anë, i duhet të merret me shumë emigracion të paligjshëm dhe me një porozitet shumë shqetësues të kufijve të vet dhe nga ana tjetër i duhet që të përballet me një rënie demografike dramatike.
Kështu Evropës i duhet të luftojë emigracionin, por ka nevojë për gjithmonë e më shumë emigrantë. Si zgjidhet kjo? Nuk më takon mua të jap leksione apo të këshilloj askënd, por besoj që pikë së pari, kjo nuk është çështje në shërbim të gatimit politik të mishit, pra kush tregon më shumë muskuj kundër emigrantëve, kush është më i vendosur të sprapsë, kush është më i djathtë, kush është më i majtë, kush është më kështu dhe kush është më ashtu sepse kjo është gjëja më e rrezikshme që po i bëjmë vetes në Evropë, duke kthyer diçka që ka të bëjë me menaxhimin e kufijve dhe menaxhimin e forcës së punës në një luftë kulturore dhe kjo mund ta shkatërrojë shpirtin e Europës. Kështu që, për aq kohë sa nuk ka një politikë të përbashkët për këtë, përtej së majtës, përtej së djathtës, përtej interesave zgjedhore, përtej nevojës për të marrë më shumë vota dhe për të ndezur frikën në stomakun e njerëzve për t’i marrë këto vota, Evropa do të jetë në telashe.
Nëse Evropa e tejkalon këtë dhe do të bëjë diçka shumë më gjithëpërfshirëse, sigurisht, duke kontrolluar kufijtë shumë më me vendosmëri, por edhe duke u hapur ndaj emigracionit të ligjshëm, duke krijuar një mënyrë shumë ndryshe për t’u marrë me vendet e origjinës dhe kështu me radhë, atëherë do të jetë një fitore e madhe për Evropën dhe për brezat e ardhshme. Në të kundërt, nuk e di, do të jetë shumë e vështirë.
-Mirë, faleminderit. Kemi edhe dy pyetje të mbetura.
Kryeministri Edi Rama: Problemi është që kur ke një konferencë shtypi me dikë nga Ballkani. Përgjigjet kur nuk mund të jenë të shkurtra.
-Së pari, faleminderit kryeministër që jeni këtu me ne. Kam dy pyetje, e para është a do të jeni në Kongresin Botëror të Drejtësisë në Republikën Dominikane, dhe pyetja e dytë është që unë si jurist, anëtar meksikan i bordit të të besuarve të Fondacionit Botëror të drejtësisë, do doja të dija se çfarë prisni ju nga anëtarët e këtij bordi dhe nga njerëzit, nga auditori që lidhet me Kongresin për kongresin që do të zhvillohet në vendin tuaj në Shqipëri.
Kryeministri Edi Rama: Pikë së pari, për fat të keq, kongresi në Republikën Dominikane do të jetë pak ditë përpara zgjedhjeve tona, kështu që nuk mund të marrë pjesë personalisht fizikisht. Ndoshta përmes teknologjisë mund të marrë pjesë, por do të jetë rasti për të dërguar dikë shumë më të mirë se unë, si Ministren e Shtetit për administratën dhe Antikorrupsionin, që udhëheq edhe negociatat tona kur vjen fjala për gjithçka që lidhet me shtetin e së drejtës, me Bashkimin evropian. Ajo çfarë presin, së pari dëgjoni.
Mbrëmë patëm nderin që të ishim përreth tryezës me disa anëtarë të shquar të bordit dhe vetëm mundësia për t’u lidhur me kaq shumë njerëz që janë kaq të përkushtuar ndaj shtetit të së drejtës dhe të lidhesh me ekipin e Gjyqtarëve që do të vijnë në Shqipëri të niveleve më të larta nga kaq shumë gjykata supreme akademikësh, do të thotë që do të kemi shansin që të bëjmë kaq shumë miq të mirë me njohuri kaq të mëdha për një luftë thelbësore të shoqërisë sonë për brezin e ardhshëm dhe nuk e paguan dot, edhe po të kesh rezervat më të mëdha të naftës, këtë gjë.
Kështu që kjo do të jetë diçka fantastike. Dhe sepse në fund e dini, vëndet nuk ndryshojnë në bazë të asaj çfarë kanë, por në bazë të asaj çfarë dinë. Kështu që të kesh kaq shumë mendje që lidhen me Shqipërinë, do të jetë absolutisht investimi më i madh për brezat, sepse besoj që kjo organizatë dhe ky kongres do të vazhdojë të ekzistojë.Vendet mund të kenë momentet e veta të dyshimeve, mund të kenë momentet e tyre të errëta, mund të kenë momentet e tyre të tundimeve që njëfarësoj të shmangin shtetin e së drejtës, por në fund të fundit, nuk ka aspak dyshim që shteti i së drejtës është ai që mund t’i japë gjithkujt pjesën e vet të barabartë të mundësisë e të sigurisë, në një shoqëri të lirë, ku të gjithë duan të bëjnë më mire, të gjithë duan të fitojnë, por askush nuk duhet të fitojë në kurriz të tjetrit. Nuk ka të bëjë me ndërtimin e një shoqërie fituesish dhe humbësish, por një shoqëri ku të gjithë mund të fitojnë duke pasur të pjesë të barabarta mundësie dhe të jetë i barabartë përpara ligjit. Faleminderit.
Burimi