Rama: Nga brigjet e Vjosës ku çdo ditë grupe vizitorësh zbulojnë hiret e saj
Turistë të huaj dhe vizitorë vendas, çdo ditë e më shumë po rrisin interesin të eksplorojnë Parkun Kombëtar të Vjosës, për eksperiencat e veçanta që ofron nga peizazhet e bukura natyrore, deri tek rafting dhe sportet e aventurës.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente të adhuruesve të sporteve ujore, të cilët gjejnë në Vjosë një oaz freskie dhe mundësi për rafting.
“Nga brigjet e Vjosës ku çdo ditë grupe vizitorësh zbulojnë hiret e saj mes kulturës, sporteve në natyrë, traditës e historisë”, shkroi Rama.
Vjosa fillon në Greqi si Aoos, përpara se të kalojë në Shqipëri, duke gjarpëruar nëpër male dhe në fund të arrijë në detin Adriatik.
Gjatë rrugës, lumi kalon nëpër fusha të blerta dhe përgjatë shpateve malore duke krijuar kanione mbresëlënëse, ishuj rëre dhe kthesa të mrekullueshme.
Bukuria dhe domethënia e lumit e kanë fituar emrin “Zemra Blu e Evropës”.
Në 13 mars 2023 lumi i Vjosës, i fundit i egër në Europë, u shpall nga qeveria shqiptare “Park Kombëtar”, kategoria e dytë e mbrojtjes, që është shumë më e lartë nga ajo që kishte deri një vit më parë, thjesht “Park Natyror”.
Burimi