Prodhimi i pullave fiskale, Ministria e Financave: Shoqëria e re nis punën së shpejti!

Prodhimi i pullave fiskale, Ministria e Financave: Shoqëria e re nis punën së shpejti!

Ministria e Financave informon përmes një njoftimi për media se prodhimi i pullave fiskale deri më datë 31.12.2024 është kryer nga shoqëria koncesionare sipas kontratës së koncesionit “Për projektimin, financimin, dizenjimin, prodhimin dhe ngritjen e një sistemi për emetimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullave fiskale e të pullave të kontrollit të barnave” të lidhur ndërmjet Ministrisë së Financave, si Autoritet Kontraktues dhe shoqërive “SICPA Security Solutions S.A” dhe “SICPA Security Solutions Albania sh.p.k” të miratuar me ligjin nr. 10381, datë 24.02.2011, i ndryshuar me ligjin nr. 17, datë 16.02.2023.
Sipas MF me përfundimin e kësaj kontrate, si dhe me qëllim forcimin e kapaciteteve të autoriteteve shqiptare për prodhimin dhe kontrollin e pullave fiskale nëpërmjet shoqërive shtetërore, gjatë vitit 2024 u ndërmorën ndryshimet e nevojshme ligjore për ngarkimin e Shtypshkronjës së Letrave me Vlerë, që vetë, ose nëpërmjet një shoqërie të krijuar prej saj, të mund të kryejë prodhimin dhe kontrollin e pullave fiskale.

MF informon gjithashtu se po punon aktualisht për krijimin e një shoqërie të re, që do të funksionojë nën administrimin e Shtypshkronjës së Letrave me Vlerë (SHLV), me qëllim fuqizimin e kapaciteteve të saj në menaxhimin e proceseve të prodhimit dhe shpërndarjes së pullave fiskale.
“Kjo shoqëri do të zbatojë teknologji moderne dhe procese të avancuara, me mbështetjen edhe të Emirateve të Bashkuara Arabe, me qëllim përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe rritjen e besueshmërisë ndaj sistemit të pullave fiskale. Shoqëria e re do të fillojë veprimtarinë gjatë muajit Mars 2025, duke siguruar një sistem të sigurt, si dhe një cilësi të lartë në procesin e prodhimit e kontrollit të pullave fiskale.”
Ministria e Financave sjell në vëmendje se periudha tranzitore nga përfundimi i kontratës së Koncesionit, deri në fillimin e prodhimit të pullave fiskale nga shoqëria, mbulohet nga neni 109, pika 9, e ligjit “Për Akcizat në Republikën e Shqipërisë”, që ka parashikuar të drejtën e përdorimit të pullave të porositura, deri me datë 31 mars 2025.
Referuar njoftimit të MF përmirësimi i efikasitetit të sistemit të pullave fiskale do të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të proceseve tregtare që garantojnë bashkëpunimin ndërkombëtar.
SCAN TV
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente