Përfundon asfaltimi i rrugës në lagjen Xhami të fshatit Gjergjan, përmirësohet qarkullimi për 400 banorë

Përfundon asfaltimi i rrugës në lagjen Xhami të fshatit Gjergjan, përmirësohet qarkullimi për 400 banorë

Një tjetër investim i rëndësishëm në infrastrukturën rurale ka përfunduar në fshatin Gjergjan, konkretisht në lagjen Xhami, ku është shtruar me asfalt një segment rrugor prej 1.2 kilometrash. Kjo ndërhyrje ishte një kërkesë e kahershme e banorëve, veçanërisht për pjesën e pjerrët të rrugës, e cila bëhej problematike në rastet e reshjeve, për mjetet ashtu edhe për banorët.
Ky investim u realizua me mbështetjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe i shërben jo vetëm banorëve të Gjergjanit, por edhe një pjese të fshatit Kështjellas, ku është asfaltuar pothuajse 1 kilometër rrugë.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, i pranishëm gjatë inspektimit të punimeve, theksoi rëndësinë e këtij investimi për komunitetin lokal:“Jemi të angazhuar për të përmirësuar infrastrukturën jo vetëm në qytet, por edhe në zonat rurale. Kemi realizuar mbi 10 kilometra rrugë në faza të ndryshme investimi, duke përmirësuar jetën e mijëra banorëve. Gjithashtu, kemi planifikuar një ndërhyrje të rëndësishme në fshatin Kështjellas, i cili ndonëse është më i vogël, përballet me problematika të theksuara për shkak të terrenit kodrinor ku ndodhet.”
Llatja shtoi se investimet e Bashkisë Elbasan do të vijojnë në të gjitha njësitë administrative, duke përmendur edhe projekte të tjera infrastrukturore në bashkëpunim me Bashkinë Cërrik:“Po përgatitemi për një ndërhyrje madhore në rrugët kryesore të fshatrave Bujar dhe Kodër Bujaras, në bashkëpunim me bashkinë e Cerrikut si dhe në rrugën kryesore të fshatit Murriqan. Objektivi ynë është që çdo zonë, pavarësisht largësisë nga qyteti, të ketë infrastrukturë të përmirësuar dhe të sigurojmë kushte më të mira për të gjithë banorët.”Investimi në rrugën e Gjergjanit është pritur nga banorët, të cilët tashmë kanë një akses më të lehtë dhe më të sigurt drejt qendrave të tjera urbane. Përmirësimi i infrastrukturës rrugore në zonat rurale mbetet një prioritet i Bashkisë Elbasan, me projekte që synojnë të modernizojnë rrjetin rrugor dhe të rrisin cilësinë e jetës për komunitetet lokale.
Burimi