Jorida Tabaku: Sistem të ri fiskal, plan për të rikthyer drejtësinë ekonomike

Jorida Tabaku: Sistem të ri fiskal, plan për të rikthyer drejtësinë ekonomike

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi sot se “Shqipëria ka sistemin fiskal më të rëndë në rajon, me taksa më të larta se fqinjët dhe një ekonomi që favorizon pakicën në dëm të shumicës”.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale Tabaku ka kritikuar ashpër modelin ekonomik të qeverisë.

“Sot, 95% e qytetarëve paguajnë taksa, por marrin më pak shërbime. Ndërkohë, një pakicë e privilegjuar përfiton përjashtime fiskale, koncesione dhe kontrata publike. Ky është një sistem që duhet të ndryshojë,” deklaroi Tabaku në rubrikën e saj javore.
Ajo vuri në dukje se Shqipëria ka normën më të lartë të TVSH-së në rajon (20%), ndërkohë që vendet fqinje si Serbia, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Mali i Zi aplikojnë norma më të ulëta dhe përjashtime për shumicën e qytetarëve, jo për një pakicë të lidhur me qeverinë.
Tabaku theksoi se ekonomia shqiptare është në rënie të vazhdueshme, me një pagë minimale prej vetëm 2.27 euro për orë dhe një tkurrje të sektorëve kryesorë si industria dhe bujqësia.

“Sektori industrial u tkurr me 30% vitin e shkuar, ndërsa eksportet bujqësore ranë me 28-29%. Kjo është një ekonomi që po vdes. Biznesi nuk investon dot, pagat nuk rriten sepse qeveria e ka shkatërruar konkurrencën me taksa të larta dhe përjashtime klienteliste,” u shpreh Tabaku.
Sipas Tabakut, Partia Demokratike ka një plan të qartë për të rikthyer drejtësinë ekonomike dhe për të vendosur qytetarët dhe shumicën në qendër të zhvillimit.
Tabaku tha se “PD propozon një sistem të ri fiskal me një taksë të sheshtë 10% për të nxitur investimet, rritjen e pagave dhe formalizimin e ekonomisë; TVSH më të ulët për produktet bazë, mbështetje për sektorët prodhues si  bujqësia dhe industria; luftë kundër ekonomisë informale; PD do të thjeshtojë sistemin fiskal dhe do të eliminojë përjashtimet klienteliste, duke krijuar një treg më të ndershëm dhe më konkurrues”.
Tabaku tha se “ne do ta ndryshojmë këtë realitet me politika të drejta dhe të qarta që vendosin në qendër qytetarin dhe shumicën e ndershme të shqiptarëve. Vetëm përmes një sistemi të drejtë ekonomik, me taksa të ulëta dhe një klimë të favorshme për biznesin, mund të sjellim zhvillim dhe mirëqenie për të gjithë”.
/k.s//a.f/ ATSH
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente