
Izraeli dërgon delegacionin në Katar për të vazhduar bisedimet për armëpushim në Gazë
Një delegacion izraelit do të udhëtojë sot në shtetin e Gjirit të Katarit për të zhvilluar bisedime lidhur me vazhdimin e armëpushimit në Rripin e Gazës.
Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha se delegacioni do të udhëtonte në kryeqytetin e Katarit, Doha pasi të pranonte një ftesë nga ndërmjetësit.
Me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Katarit dhe Egjiptit, Izraeli dhe grupi islamik palestinez Hamas ranë dakord për një armëpushim fillestar gjashtëjavor në janar, në të cilin 25 pengje të gjallë u shkëmbyen me rreth 2000 të burgosur palestinezë.
Izraeli tha se 24 pengje të gjallë dhe 35 trupa të individëve të rrëmbyer janë ende duke u mbajtur në Rripin e Gazës.
Faza e parë e armëpushimit, e cila mundësoi edhe aksesin e ushqimit, strehimit dhe furnizimeve mjekësore në Gazë, përfundoi më 1 mars.
Prej disa javësh, ka paqartësi nëse Izraeli dhe Hamasi mund të kalojnë në fazën tjetër.
Negociatat në Doha synojnë të çojnë palët në fazën e dytë të armëpushimit, e cila synon t’i japë fund përfundimisht luftës në Gazë.
Hamasi do të lirojë çdo peng të mbetur dhe ushtria izraelite duhet të përfundojë tërheqjen e saj nga territori.
Një zëdhënës i Hamasit theksoi gatishmërinë e grupit për të hyrë në negociata dhe raportoi “sinjale pozitive” se faza e dytë mund të arrihej.
Lufta e Gazës filloi më 7 tetor 2023, kur militantët e udhëhequr nga Hamasi vranë rreth 1200 njerëz në komunitetet jugore izraelite dhe morën rreth 250 pengje.
Izraeli u përgjigj me një bombardim masiv në Gazë, duke e rrënuar pjesën më të madhe të territorit të mbyllur, dhe gjithashtu filloi një inkursion tokësor me qëllimin për të zhdukur plotësisht Hamasin.
“Më shumë se 48 000 njerëz janë vrarë në Gazë që nga fillimi i luftës”, sipas vlerësimeve palestineze. //a.i/ ATSH
Burimi