Homazh për Kadarenë, Basha: Njeriu që i tregoi botës perëndimore se jemi pjesë e…
Kryetari i Demokratëve Euroatlantik, Lulzim Basha, mori pjesë sot në homazhet e shkrimtarit të ndjerë, Ismail Kadare. Në një prononcim për mediat, Basha tha se Kadare është ngjitur në panteonin e përjetësisë si njeriu që në kohën më të vështirë për Kombin, i tregoi botës perëndimore se jemi pjesë e identitetit Europian.
Ai më tej tha se gjatë kohës së diktaturës Kadare u shndërrua në psikoanalistin kolektiv të shqiptarëve dhe në disektuesin më të talentuar të instrumenteve të diktaturës.Basha gjithashtu u bëri thirrje të rinjve që të lexojnë poezitë apo romanet e Kadaresë, pasi do t’i bëjë të kuptojnë edhe më shumë vlerën e tyre si shqiptarë dhe vlerën e tyre si individë në këtë botë të madhe dhe të komplikuar.
“Ismail Kadare është ngjitur në panteonin e përjetësisë si njeriu në kohën më të vështirë për Kombin shqiptar, i kujtoi në radhë të parë bashkëkombasve dhe më pas të gjithë botës, në veçanti gjithë bozës perëndimore, se ne jemi një ndër kombet e identitetit europian dhe e formimit të identitetit europian.
Dhe kjo në një kohë kur u bë çdo përpjekje për të fshirë, zhdukur dhe shkatërruar në mënyrën më barbare lidhjen e shqiptarëve me habitatin e tyre natyror, kulturor që është Europa, është perëndimi. Së dyti, sepse gjatë kohës së diktaturës ai u shndërrua pa pikë dyshimi psikoanalisti kolektiv të shqiptarëve dhe në disektuesin më të talentuar të instrumenteve të diktaturës. Dhe së treti, sepse shumë prej mekanizmave të diktaturës për fat të keq vazhdojnë t’i mbijetojnë shembjes së diktaturës, siç është deformimi i karakterit nga pushteti, siç është yshtja e meskinitetit njerëzor nga pushteti për të luftuar të mirën, të denjën, të bukurën.
Dhe për këtë do të thoja, do kisha një mesazh në veçanti për të rinjtë, për të gjithë të rinjtë, gjimnazistët, studentët, rininë shqiptare, pikërisht duke marrë shkak nga kjo ngjarje Kombëtare, është ndarja nga jeta e shkrimtarit tonë të madh që të përpiqen të lexojnë qoftë dhe një poezi apo një roman të Ismail Kadaresë, sepse do t’i shndërrojë përgjithmonë dhe do t’i bëjë të kuptojnë edhe më shumë vlerën e tyre si shqiptarë dhe vlerën e tyre si individë në këtë botë të madhe dhe të komplikuar.”, tha Basha.
Burimi