Gati për makina elektrike, pritet të ngrihet rrjeti i pikave të furnizimit në të gjithë vendin
Për të ulur nivelin e ndotjes në mjedis që vjen për shkak të automjeteve me benzinë, gaz apo naftë qeveria parashikon stimulimin e blerjes së automjeteve elektrike.
Në strategjinë e publikuar në konsultim publik propozohet ngritja e një rrjeti të pikave të furnizimit të këtyre mjeteve në të gjithë vendin, por më kryesore mbeten Tirana, Saranda, Vlora , Korça, Durrësi dhe Elbasani si dhe në pikat kufitare të Hanit të Hotit, Kakavijës, Durrësit dhe Vlorës
Madje edhe për ndriçimin publik propozohet që të vendosen panelet diellore duke sjellë kështu dhe një ulje të konsumit nga burime të tjera.
Një tjetër Projekt-ide është dhe për elektrifikimin e linjave të transportit urban dhe ndërqytetas në bashkitë Tiranë, Vlorë, Durrës
Pas përgatitjes së studimit, do të shihet mundësia e financimit të këtij projekti, për të nisur me transformimin e transportit urban, duke prezantuar përdorimin e automjeteve elektrike, thuhet në dokument.
Si masë për të frenuar përdorimin e automjeteve me karburant propozohet taksë më e lartë e qarkullimit, apo dhe lejimi i përdorimit në ditë të caktuara të javës duke përdorur dhe një kalendar sipas shifrës së fundit të targës.
Rritja e taksës në importimin e makinave të përdorura po ashtu është një tjetër propozim me qëllim reduktimin në maksimum të hyrjes së tyre në tregun shqiptar.
Nga ana tjetër për të rritur numrin e mjeteve të reja elektrike nuk përjashtohet as financimi.
Për këtë në dokument propozohet Zbritje tregtare apo dhe subvencionime të çmimit të blerjes së automjeteve: “Skema e incentivave për zëvendësimin e automjeteve: një masë e cila nxit zëvendësimin e automjeteve të vjetra me modele më të reja, më efiçente dhe me nivele më të ulëta ndotjeje 0. Një incentivë e planifikuar që varion nga 5% deri në 10% të kostos së blerjes për makinat e reja elektrike; mirëmbajtje dhe shërbime ndihmëse pa pagesë për pronarët e makinave elektrike; ofrim i incentivave dhe zbritjeve edhe për pronarët e makinave hibride. Parkim pa pagesë në të gjitha hapësirat e parkimit publik”, thuhet në material.
Më tej shtohen dhe grantet dhe kreditë e buta për blerjen e automjeteve ekologjike. Po ashtu dhe rinovimi i flotës së mjeteve të përdorura nga administrate shtetërore kërkohet që të shkojnë drejt atyre ekologjike.
Një rritje e konsiderueshme e automjeteve elektrike është projektuar të nisë dhe të vijojë deri në vitin 2050 për të arritur dhe në objektivat e uljes së ndotjes dhe shkarkimit të gazrave.
Burimi