Flet deshmitari okular se si u urdhërua për Thesarin e Shtetit ta çonin në tunel në Krrabë…

Flet deshmitari okular se si u urdhërua për Thesarin e Shtetit ta çonin në tunel në Krrabë…

Nga Adem Kormaku
Një jetë e mbushur me ngjarje. Një jetë, e vrullshme, me punë të lodhshme, por në emër të një ideali, ndërtimit të vendit. Nga Stebleva në Tiranë. Nga Tirana në gjithë rrethet e Shqipërisë. Ishin vitet kur Shqipëria ishte kthyer në një kantier të madh ndërtimi. Një jetë mbushu me ngjarje, deri diku dhe të pabesueshme për kohën e sotme. Por i tillë ishte ai sistem, e tillë ishte ajo kohë. Ishte periudha kur idealizmi, paraprinte interesave personale ekonomike.

Si i ndërtuam objektet sekrete për kohë lufte?
Në Rezervën e Shtetit, Reparti 101/K, vazhduam punimet për ndërtimin e depove në Baldushk, në Petrelë të Tiranës, ku punonte brigada e Baki Radës, me teknik Rasim Ajazin. Po kështu vazhduam punimet në objektin “Lumi” në Kërrabë (Objekti i thesarit të shtetit) etj….! Nga dita në ditë, punën në këtë ndërmarrje shtoheshin dhe ngarkesa ishte shumë e madhe. Ndërkohë, kur ishim në pikun e punës, marrim urdhër dhe fillojmë punën në objektin “X-79” të thesarit në Linxë të Tiranës, projekt nën administrimin e Ministrisë së Financave.
Pas kësaj, apo thuaj paralel në kohë, na u ngarkua për detyrë ndërtimi i objekteve-banesa, për Ministrinë e Mbrojtjes, për aviatorët, ndërtimi i objektit 7310, në territorin e Spitalit Ushtarak, ndërtimi i Institutit për Mbrojtjen, godina që u kthye në Bankë Kombëtare Tregtare (BKT) etj. Kjo ndërmarrje ndërtoi dy godina për institutin dhe Ndërmarrjen e Kërkimeve Minerare të Gjeologjisë, ku punoi e drejtoi inxhinieri Marketin Topollari.
Gjithashtu, na u ngarkua ndërtimi i dy objekteve të projektuara nga Instituti i Projektimit të Mbrojtjes, ku do të strehohej në situatë lufte Kryeministria dhe Ministria e Punëve të Brendshme. Këto ishin objekte të rëndësishme për nga funksioni që do të kryenin, por dhe të një vështirësie teknike sepse, kërkonin një siguri të lartë, apo më saktë punime të vështirësive që nuk ishin ndërtuar deri në atë kohë. Njëri nga këto objekte është pranë Kryeministrisë, që iu bashkëngjit objektit ekzistues dhe tjetri pranë Ministrisë së Brendshme, ose më saktë në sheshin midis dy ministrive, midis Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Ndërtimit.
Objekti drejtohej nga inxhinieri Edmond Demiri. Ndërtimi i këtij objekti pati vështirësi të mëdha, që nga punimet në bazament, ndërtimi i mureve të betonit me armatura hekuri të dyfishta, ku vetëm soleta që mbulonte objektin ishte e trashë 2.2 metra, ndërsa armatura e hekurit, vetëm në 50 centimetrat e para, shtatë zgara hekuri e në vazhdim të tjetra, të gjitha me markë betoni 350. Llogaritë ishin të tilla, që dhe bomba të binte mbi të, e ai të ishte plotësisht i qëndrueshëm.
Ndërsa në Kryeministri bëhej soleta me një trashësi 1.8 metra, po me armatura hekuri si e para, me markë betoni 350. Personeli inxhiniero-teknik i ndërmarrjes ishin njerëz të zgjedhur, të devotshëm dhe të sakrificës, të cilët bashkë me specialistët e ndërtimit, minatorët, shoferët, manovratorët, mbanin peshën kryesore të punëve më të vështira në Ndërmarrjes së Ndërtimin Nr.10. Për shkak se volumi i punës ishte tepër i madh, frontet e punës ishin të shpërndarë në shumë rrethe të Shqipërisë, punonjësve u duhej të rrinin me javë e muaj, larg shtëpive të tyre.
Por njëkohësisht, duhet të përballonin dhe vështirësi të tjera, pasi në dhe trajtimi linte për të dëshiruar, mensat dhe fjetoret në objekte të largëta ishin të improvizuara, ushqimet shkonin me mjetet e furnizimit të materialeve. E them me bindjen e plotë, se këta ishin njerëz të mrekullueshëm, të sakrificës, punëtorë
dhe optimistë, për të realizuar në kohë të gjitha detyrat që iu ngarkuan, pa përfillur sakrificat e mëdha që kërkoheshin. Pikërisht, këtu qëndron dhe realizimi me sukses i objekteve të tilla të rëndësishme.
Njëkohësisht, me të tilla sakrifica, u përballën dhe kuadrot. Është vështirë të harrosh kontributin e tyre, ku ndër ta mund të përmend: Inxhinierët Kosta Bozdo, Arjan Kokolari, Ndriçim Kote, Edmond Demiri, teknikët Mahmut Tola, Rasim Ajazi, mjeshtrat e ndërtimit Adem Durma, Gjergj Panoti, Ferit Rustemi; brigadierët Feta Koçi, Alush Muça, Baki Rada, Izet Ajazi, Shyqyri Shehu, Shaziman Kamberi, Ismet Murati, Sytki Picoku, Mitro Marku, Ismail Kuburi, Bashkim Hasmuça, Tefik Curri etj…!
Nuk mund të harroj dhe mjeshtrit minatorët duarartë Hysni Uka, Tahir Gjoni, Rizman Lami, Dali Uklala, Allaman Bici, Sul Elezi, Sali Shehu, Zyber Billa, Sali Caskoni etj…! Do shtoj këtu dhe njerëzit e sakrificës, heronj të vërtetë shoferët: Taqo Mara, Aristidh Qendro, Bim Subashi, Astrit Kullaku, Edmond Pashai, (Puqo), Lirim Xhelili dhe dy manovratorët e talentuar të bjellorusëve të gërmimit, Elez Dallaku e Ferat Shatku, njerëz e punëtorë të talentuar, që ço detyrë që merrnin, kishe siguri të plotë se do e realizonin me cilësi dhe brenda afatit të dhënë. Një mbështetje të veçantë ka dhënë edhe ofiçina e kësaj ndërmarrje, përgjegjësit të palodhur Thanas dhe përgjegjësit të sektorit të prodhimit, Hamit Driza.
20 shtator 1968
Ishte situatë e rënduar në vend, si pasojë e acarimit të marrëdhënieve Shqipëri-Bashkimi Sovjetik, për shkak të agresionit ushtarak të sovjetikëve që pushtuan Çekosllovakinë. Na thërrasin në Degën Ushtarake të Tiranës (fletë-thirrje me vijë të kuqe), për të na mobilizuar si forca rezerviste. U themi për detyrën që kishim marrë e, se ishim gati të niseshim për jashtë shtetit. Pasi pritëm përgjigje gati gjysmë ore, oficeri i kontaktit, na tha të iknim dhe të vazhdonim detyrën që na ishte ngarkuar. Por ishim në tension…! Buçisnin radiot nga fjalimi i Mehmet Shehut që denonconte Traktatin e Varshavës. Në Tiranë bëheshin prova me sirena alarmi dhe fikeshin dritat. Ushtria kishte marrë urdhër për gatishmëri luftarake. Çdo gjë ishte në lëvizje e nën kontroll.
(marrë shkurtime nga Memorie.al)
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente