Ekipi i programuesve shqiptarë ndërtojnë aplikacionin kryesor të Vodafone

Ekipi i programuesve shqiptarë ndërtojnë aplikacionin kryesor të Vodafone

Teksa flasim gjithmonë e më shumë për dixhitalizim dhe teknologji, zbulojmë çdo ditë se shqiptarët janë talente të lindur në këtë fushë. Prej pak kohësh qarkullon lajmi se ekipit dixhital të Vodafone Albania, i përbërë nga të rinj shqiptarë të talentuar, i është besuar ndërtimi i versionit më të ri të aplikacionit My Vodafone, që do të përdoret nga klientët në të gjitha tregjet ku Vodafone operon. Ky nuk është një lajm i bukur vetëm për kompaninë, por edhe për Shqipërinë, sepse ne jemi mësuar të shkarkojmë e përdorim në telefonat tanë aplikacione që janë krijuar në vende të zhvilluara nga kompani lider në teknologji. E ndërsa tani, qindra miliona njerëz në mbarë botën do të shkarkojnë e përdorin një aplikacion të krijuar nga programues shqiptarë.
Të ftuar në “Wake Up” në Top Albania Radio dhe Top Channel, Evi Hoxha, Drejtues i Skuadrës së Kanaleve Dixhitale në Vodafone Albania dhe Artemida Nebiaj, Drejtuese e Kanaleve Dixhitale Inxhinierike, thanë se versioni më i ri i aplikacionit My Vodafone është ndërtuar nga ekipi dixhital i Vodafone në Shqipëri, me mbështetjen e kolegëve të Vodafone Ireland dhe Vodafone Portugali.
“Kujtoj ditët e para kur programi i ndërtimit të aplikacionit nisi. Ishte një miksim ndjenjash, por mbi të gjitha mbizotëronte entuziasmi për të zhvilluar diçka globale dhe me impakt. Dyshime se do t’ia dilnim nuk kishim në asnjë moment. Pas përfundimit të aplikacionit, feedback-u ka qenë tepër pozitiv. Perfomanca është e qendrueshme edhe me përdorim të shtuar”, tha Evi Hoxha në “Wake Up”, teksa kolegia e tij, Artemida Nebiaj, shtoi se: “Fillimi ka qenë disi i vështirë, sepse ndonjëherë të krijosh diçka nga fillimi është më e thjeshtë se të kesh 3 versione të ndërtuara e të përpiqesh t’i harmonizosh në një të vetëm. Jemi kujdesur shumë që eksperienca e përdoruesve në Shqipëri, Irlandë dhe Portugali të mos afektohej e të sillnim vetëm vlerë të shtuar tek përdoruesit.”
Aplikacioni My Vodafone është kanali dixhital më i përdorur ofruar nga Vodafone Albania, që mundëson menaxhimin e një apo disa llogarive Vodafone, në distancë, në çdo kohë dhe çdo moment. Aplikacionet në përgjithësi janë kontakti i parë i një klienti me brandin apo markën, ndaj My Vodafone ka një rëndësi të veçantë, sepse është praktikisht fytyra dixhitale e kompanisë. Versioni më i fundit i aplikacionit, i zhvilluar nga ekipi dixhital shqiptar, është një përditësim i zakonshëm për përdoruesit ekzistues, por që në brendësi ka një sërë ndryshimesh, duke filluar nga aspekti vizual, funksionalitetet e ofruara dhe nga teknologjitë e përdorura.
My Vodafone i ri, për ndërtimin e të cilit është dashur përafërsisht një vit, do të sjellë një unifikim në terma platformash dhe teknologjie për qindra milionë përdorues, sepse do të rritet çdo vit me adoptimin gradual nga të gjitha shtetet ku Vodafone operon. Aplikacioni iu mundëson të gjithë përdoruesve të kryejnë të gjitha aktivitetet online, duke ofruar njëkohësisht performancë më të mirë e lehtësi në përdorim dhe duke përmirësuar më tej eksperiencën dixhitale që Vodafone ofron.
Për ndërtimin e aplikacionit është diskutuar në fillim edhe varianti i krijimit të tij në vende të zhvilluara si Mbretëria e Bashkuar, Gjermania apo Italia, por falë sukseseve të ekipeve dixhitale shqiptare u vendos që Vodafone Albania të jetë pjesë e fazës së parë dhe lidere e zhvillimit të aplikacionit. Çka tregon se cilësia e zhvilluesëve në Shqipëri është e një niveli tepër të lartë dhe në disa aspekte, edhe më e lartë se në vendet më të zhvilluara. Jo rastësisht, edhe në të kaluarën, ekipi dixhitial i Vodafone Albania ka qenë herë pas here pjesë e nismave të reja të Vodafone Group.
 
Burimi