
Edi Rama: Rruga Shëngjin-Velipojë, një tjetër spektakël i bukurive shqiptare drejt përfundimit
Kryeministri Edi Rama ka nisur këtë mëngjes me një përshëndetje të veçantë, duke uruar një të diel të qetë për të gjithë qytetarët. Në mesazhin e tij, ai ka ndarë pamje të rrugës së re Shëngjin-Velipojë, e cila po shkon drejt përfundimit.
Ky aks rrugor pritet të sjellë një tjetër dimension në zhvillimin turistik të zonës, duke lehtësuar ndjeshëm aksesin mes Shëngjinit dhe Velipojës dhe duke ofruar një udhëtim panoramik përmes peizazheve mahnitëse të bregdetit shqiptar. Me këtë investim, Shqipëria vijon të zbulojë dhe promovojë potencialin e saj turistik, duke u shndërruar gjithnjë e më shumë në një destinacion të preferuar për vizitorët vendas dhe të huaj.
Projekti i rrugës Shëngjin-Velipojë, me një gjatësi prej 15 kilometrash, është drejt përfundimit dhe pritet të sjellë përfitime të shumta për zonën veriperëndimore të Shqipërisë. Ky investim, me vlerë 3.8 miliardë lekë, synon të lehtësojë ndjeshëm lëvizjen mes dy destinacioneve turistike kryesore, duke reduktuar kohën e udhëtimit nga 1 orë e 20 minuta në vetëm 20 minuta.
Aksi i ri rrugor përshkon zona me peizazhe natyrore të veçanta, si plazhet e Shëngjinit, Rana e Hedhun, Rrjolli dhe Laguna e Vilunit, duke e kthyer këtë rrugë në një itinerar panoramik që promovon bukuritë natyrore të Shqipërisë.
Banorët e zonës e kanë mirëpritur këtë zhvillim, duke theksuar se rruga e re do të lehtësojë lëvizjen, do të rrisë numrin e turistëve dhe do të nxisë zhvillimin e bizneseve lokale.
Për më tepër, pritet që ky investim të rrisë vlerën e pronave në zonë dhe të tërheqë projekte të reja në fushën e turizmit dhe hotelerisë, duke ndikuar pozitivisht në zhvillimin ekonomik të rajonit.
Albert Vataj
Burimi