
Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit Drejtues i Lartë, Neritan Nallbati, në Londër
Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit Drejtues i Lartë Neritan Nallbati dhe delegacioni që e shoqëronte, zhvilluan një vizitë pune në Londër, me ftesë të Drejtuesit të Projektit të Policive Britanike për Luftën ndaj Krimit të Organizuar në Ballkanin Perëndimor, z. Adam Ball.
Kjo vizitë konsistoi në rritjen e bashkëpunimit ndërmjet strukturave policore shqiptare dhe atyre britanike, në luftë ndaj çdo fenomeni kriminal, veçanërisht ndaj krimit të organizuar.
Në këtë drejtim, delegacioni shqiptar pati takime të frytshme me drejtuesin e Policisë britanike për Luftën ndaj Krimit të Organizuar në Ballkanin Perëndimor z. Ball dhe me ekipin që e shoqëronte, i përbërë nga drejtues të strukturave kundër krimit të organizuar në Policinë Metropolitane të Londrës.
Një vëmendje e veçantë në këtë vizitë iu kushtua bashkëpunimit me strukturat e laboratorit të Policisë Shkencore Metropolitane, me të cilat u zhvilluan takime dhe shkëmbime eksperiencash.
Gjithashtu, u realizua dhe një vizitë në një nga komisariatet e Policisë në Londër, i cili mbulon një zonë ku jetojnë shumë nga bashkatdhetarët tanë, për të parë nga afër problematikat dhe mundësitë e bashkëpunimit konkret në terren.
Në përfundim të vizitës, janë hedhur hapa konkretë të bashkëpunimit operacional policor.