
Brruti është risia e Sylvinhos, reagon Duka: Dera e Kombëtares e hapur për këdo!
Sporti E Mërkurë, 12 Mars 2025 12:55
Sylvinho është i hapur për emra të rinj në Kombëtaren tonë. Strategu i i kuqezinjve ka rezervuar një ftesë për kapitenin e Kosovës U-21, Etnik Brruti në prag të dy ndeshjeve të radhës. 20-vjeçari është pjesë e Malishevës dhe konsiderohet si një talent i madh i së ardhmes. Te Kosova e kanë mbajtur këtë futbollist te Shpresat dhe nuk e kishin grumbulluar asnjëherë më parë në Përfaqësuesen A.
Po sipas këtyre zërave, trajneri i Kombëtares tonë e ka ftuar Brrutin për dy ndeshjet e marsit dhe ky i fundit e ka pranuar ftesën. Brruti po pret që të pajiset me pasaportën shqiptare për të qenë i gatshëm në dokumentacion, në mënyrë që të luajë që kundër Anglisë.
Lajmi është konfirmuar se fundmi dhe nga kreu i FSHF, Armand Duka, që është shprehur se Kombëtarja është një derë e hapur për këdo. “Unë jam një nga ata që vendos për politikat e FSHF-së dhe një nga politikat tona është që dera e Kombëtares është e hapur për këdo. Ne marrim vetëm futbollistët shqiptarë, kushdo që ndihet shqiptar luan për ne. Brruti e ka marrë pasaportën dhe kemi aplikuar dhe për vizën angleze dhe uroj ta kemi në kohë”, tha Duka.
Burimi