
Basha nga Kamza: Raporti i DASH konfirmon se korrupsioni pengon zhvillimin e Shqipërisë
Lulzim Basha, gjatë prezantimit të kandidatëve për deputetë në Kamëz, tha se zgjedhjet e 11 majit nuk duhet të sjellin thjesht një rotacion politik, por një ndryshim të thellë dhe të vërtetë për Shqipërinë. Koalicioni Euroatlantik vijon fushatën në terren, duke prezantuar kandidatët për deputetë.
Basha shtoi edhe se 11 maji duhet të jetë dita e një ndryshimi të vërtetë, që i jep fund praktikave të vjetra dhe hap rrugën për një qeverisje të përgjegjshme dhe të orientuar drejt aleancave perëndimore. ”Më 11 maj jo thjesht rotacion, më 11 maj jo riciklim, më 11 maj ndryshim i vërtetë për Shqipërinë dhe shqiptarët”,-deklaroi Basha përpara qytetarëve dhe mbështetësve të koalicionit.
Në fjalën e tij, Basha iu referua edhe raportit më të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), ku theksohet se korrupsioni është pengesa kryesore për zhvillimin ekonomik dhe reputacionin ndërkombëtar të Shqipërisë.
”Ne të gjithë e dimë dhe sot Departamenti Amerikan i Shtetit, i administratës së presidentit Trump, pati rastin të na e rikujtojë zyrtarisht se korrupsioni është pengesa kryesore për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe për reputacionin tonë ndërkombëtar. Nuk ka pengesë më të madhe për zhvillimin tonë se korrupsioni”,-tha ai.
Burimi